Nagavci: Në ditët më të vështira për vendin, Qeverisë po ia vështirësojnë secilin veprim

Prishtinë | 16 Pri 2020 | 21:11 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka thënë se pas tejkalimit të pandemisë, përballja mes partive do jetë e pashmangshme duke nënkuptuar kështu zgjedhjet.

Ajo ka shkruar në Facebook, se në mbledhjen e sotme të Kryesisë është diksutuar më shumë për çështje politike se sa për nismën legjislative për luftimin e koronavirusit.

Postimi i plotë:

Sot në mledhjen e Kryesisë së Kuvendit nuk pat vullnet politik që të procedohet Nisma Legjislative për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në Territorin e Republikës së Kosovës.

Nisma e inicuar nga grupi prej gjashtë deputetëve: Kryetarja Vjosa Osmani, Saranda Bogujevci, Haxhi Abdyli, Ardian Shala, Hajrullah Çeku dhe unë, nuk mori përkrahjen e anëtarëve të Kryesisë që të procedohet për mendim në Qeveri, duke pamundësuar kështu trajtimin e tij në seancë.

Ligj ka për qëllim që të krijojë hapësirën e domosdoshme juridike për autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës, në rend të parë Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pandemisë COVID – 19 në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përmes kufizimeve të lehta dhe të domosdoshme të lirive dhe të drejtave të njeriut sipas nenit 55 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Pra ky ligj, është në interes të shëndetit publik dhe në përkrahje të institucioneve që të kryejnë punën e tyre në mënyrën sa më të mirë të mundshme.

Ndonëse gjendja e krijuar në përmasa botërore me pandeminë COVID-19 vazhdon të mbetet shqetësuese, edhe pse Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 6 prill 2020, e potencon rolin themelor të Kuvendit që të rregullojë me ligj të veçantë kufizimin e të drejtave e të lirive të njeriut në kohë pandemie, në mledhje u zhvilluan diskutime të gjata kryesisht për cështje politike.

Pasi e lanë vendin pa Qeveri, në ditët më të vështira, po shofin të vështirësojnë secilin veprim e punë të Qeverisë në detyrë, madje edhe në rastet kur kjo ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit publik.

Edhe pse thonë se Kuvendi është funksional, nuk po lejojnë as ushtrimin e kompetencave themelore të ligjbërjes, madje as për këtë ligj të rëndësishëm në këtë kohë pandemie.

Krahas obstruksioneve për Qeverinë në detyrë, mosrespektimit të rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk duan as zgjedhje të reja, sepse nuk kanë guxim të përballen me qytetarët.

Uroj që të kalojmë bashkarisht sa më parë e me më pak viktima pandeminë, uroj shërim të shpejtë për të gjithë të infektuarit dhe sa më pak raste të reja.

E pas tejkalimit të pandemisë, përballja do të jetë e pashmangshme.

Të ngjashme