Nagavci: Së pari zgjedhje e pastaj shqyrtojmë mundësinë e propozimit të një emri për President

Prishtinë | 01 Nën 2020 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka shqyrtuar akoma mundësinë e propozimit të një emri të tyre për president të vendit. Këtë mundësi si opsion për zgjidhjen e problemit të zgjedhjes së presidentit të ri, e ka përmendur para pak ditësh shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Nënkryetarja e Kuvendit nga LVV, Arbërie Nagavci, ka thënë për Gazetën Express se kërkojnë që para zgjedhjes së presidentit të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme nacionale, në mënyrë që të ketë legjislaturë tjetër të Kuvendit dhe Qeveri tjetër po ashtu.

“Ne mendojmë se përpara se të merremi me çështjen e presidentit, duhet të ketë zgjedhje të reja. Pas zgjedhjeve të reja, edhe Parlamenti do të kishte më shumë legjitimitet, ashtu sikurse edhe ekzekutivi dhe do të kishim diskutu për presidentin kurdo që vjen koha”, ka thënë Nagavci.

Edhe nëse skenari do të zhvillohej ashtu siç dëshiron ky subjekt politik, partia e Albin Kurtit aktualisht nuk e ka ndonjë emër për ta propozuar për president.

Megjithatë, Nagavci ka thënë se këtë çështje do ta diskutojnë brenda organeve të partisë.

“Nuk e kemi shqyrtu akoma. E shqyrtojmë në organet tona. E kemi Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm që vendos dhe aktualisht nuk kemi ndonjë qëndrim”, ka thënë Nagavci.

Zgjedhjet, për LVV-në janë zgjidhja më e mirë dhe më e domosdoshme, ndërsa çështjen e zgjedhjes së presidentit do të donin ta diskutonin vetëm në rrethana tjera.

“Po mendojmë që më e mira dhe më e domosdoshmja tash është që të shkojmë në zgjedhje të reja, ndërkaq për presidentin do të diskutojmë kurdo që vjen koha”, ka theksuar Nagavci.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi para tri ditësh ka deklaruar se mund të vijë një situatë kur koalicioni qeverisës do t’ia lejonte opozitës t’i propozojë kandidatët për president.

“Ka shumë logjikë që mund të vijmë në një momentum dhe të deklarohet prej koalicionit që koalicioni ia lë opozitës që t’i propozojë kandidatët për president dhe deputetët të votojnë. Gjasat janë që mund të mbërrijmë në këtë momentum”, ka deklaruar Gashi në RTV Dukagjini.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shpesh janë deklaruar se çështja e zgjedhjes së Presidentit nuk duhet të diskutohet derisa ende të mos ketë përfunduar mandati i Hashim Thaçit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vijon të paraqitet partia e përcaktuar më së qarti për zgjedhjen e presidentit të ri. Ata e kanë nominuar shefin e partisë, Ramush Haradinajn për ta pasuar Hashim Thaçin në karrigen e presidentit, ndërsa kanë thënë se do të dalin nga Qeveria nëse në këtë synim ai nuk merr mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

Gjykata Speciale në Hagë deri tani nuk ka treguar nëse është konfirmuar apo është hedhur poshtë aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Vesel. Presidenti Thaçi më herët ka deklaruar se në rast se konfirmohet kjo aktakuzë, do të japë dorëheqje

Të ngjashme