Ndërkombëtarët ia plasin në sy Haradinajt: Demarkacioni të merr fund

Prishtinë | 15 Shk 2018 | 08:40 | Nga

Derisa Kosova është duke u munduar të gjejë një zgjidhje për Demarkacionin, është vizituar nga dy ndërkombëtarë. Kryeministri i Malit të Zi dhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, po qëndrojnë në Kosovë dhe po kanë takime e porosi për liderët e vendit.

Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviq, dje në orët e mesditës ka ardhur për vizitë në Kosovë ku pastaj ka mbajtë konferencë të përbashkët me Kryeministrin e Kosovës.

Përveç të gjitha porosive, ajo më e rëndësishmja ishte për Demarkacionin.

Markoviq në konferencë të përbashkët me Ramush Haradinajn, ka thënë se Demarkacioni ka përfunduar në momentin që u ratifikua në Kuvendin e Malit të Zi, por si një fqinj i mirë, Markoviq thotë se dëshirojnë ta ndihmojnë Kosovën.

Pas takimit mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe homologut të tij nga Mali i Zi, Dusko Markoviq, të dy kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë treguar arsyen e vizitës së kryeministrit malazias.

Të pyetur për çështjen e Demarkacionit, Markoviq ka thënë se Mali i Zi ka përfunduar obligimin lidhur me këtë çështje, por marrë parasysh pengesat që ka hasur Demarkimi në Kosovë, ai ka treguar se janë të gatshëm për t’i ndihmuar Kosovës në gjetjen e zgjidhjes.

Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviq, ka thënë se me Kosovën duan fqinjësi dhe miqësi të shëndoshë dhe se mes dy shteteve nuk ka probleme. Çështja e Demarkacionit, sipas Markoviqit, nuk është problem por vetëm një çështje e hapur.

“Ne nuk kemi probleme, kemi disa çështje të hapura dhe besoj që në ta ardhmen të gjejmë një përgjigje cilësore”, ka thënë Markoviq.

Ai ka thënë se Mali i Zi është i prirë që të ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

Me këtë rast, Kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur optimist se ekziston një vullnet i përbashkët në mes të Kosovës dhe Malit të Zi që të gjendet një zgjidhje për Demarkacionin.

Në konferencën e përbashkët me kolegun e tij malazez Dushko Markoviq, Haradinaj tha se është biseduar për shënimin e kufirit dhe se ka shpresë që do të gjendet zgjidhje.

“E kemi biseduar edhe çështjen e Demarkacionit. Ekziston një vullnet i mirë që të gjendet një dalje nga gjendja në të cilën jemi tu i pas parasysh zhvillimet e mëhershme jam me shpresë se do të gjindet kjo zgjedhje”, tha shkurtimisht Haradinaj.

Por, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, është ankuar rreth infrastrukturës që lidh Kosovën dhe Malin e Zi. Markoviq në konferencën e përbashkët me kryeministrin Haradinaj ka kërkuar bashkëpunim të dy vendeve në fushën e tregtisë.

Por ai është shprehur se është i pakënaqur me infrastrukturën që lidh këto dy vende. Ka thënë se përmirësimi i infrastrukturës do t’i shtonte mundësinë për afrimin e vlerave kulturore të dy vendeve si dhe do t’i zhvillonte dy vendet ekonomikisht.

“Cilësia e infrastrukturës që lidh Kosovën dhe Malin e Zi është e pakënaqshme. Ne duam të japim një nxitje të fortë për përmirësimin e infrastrukturës që do të na afrojë më shumë dhe do të mundësojë potencialet, vlerat dhe kulturat tona për të dy vendet, por në të njëjtën kohë do të zhvillojnë ekonomitë tona. Prandaj, projektet infrastrukturore do të jenë në krye të agjendës ekonomike të Qeverisë kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me Kosovën “, tha kryeministri Markoviq, citohet në njoftimi i Qeverisë së Malit të Zi.

Se mes dy vendeve ka një miqësi, është paraqitur edhe nga ana e Qeverisë së Malit të Zi.

Qeveria malazeze ka njoftuar, nëpërmjet faqes së saj zyrtare në Facebook, për vizitën zyrtare të Markoviqit në Prishtinë.

Ajo ka publikuar një fotografi nga takimi Haradinaj-Markoviq, në zyrën e shefit të ekzekutivit kosovar, teksa dy udhëheqësit shihen duke cakërruar gotat.

Qeveria malazeze ka shpërndarë dy deklarata nga ky takim – një të kryeministrit të saj, dhe një të mikpritësit, Haradinaj.

“Kryeministri Dushko Markoviq në Prishtinë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj: Kosova nuk e ka një mik kaq të mirë dhe të besueshëm sa Mali i Zi. Kryeministri Haradinaj: Me marrëdhënien tonë me Malin e Zi, ne duam t’i japim një shembull të tjerëve”, thuhet në postimin e qeverisë malazeze në rrjetin social.

Markoviq po viziton Kosovën, teksa vendi ende nuk po arrin ta zgjidhë çështjen – tashmë të brendshme – të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq do të vazhdojë edhe sot vizitën e tij në Kosovë.

Markoviq në ditën e dytë të vizitës së tij në Prishtinë do të takohet me presidentin e vendit, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Gjithashtu të mërkuren, Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ka thënë në Prishtinë se Gjermania është krenare me arritjet e deritashme të Kosovës, dhe se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të ardhmen.

Në një konferencë të përbashkët për media, me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i qeverisë së Angela Merkelit ka përshëndetur, siç ka thënë ai, vullnetin e Kosovës për të zgjidhur çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Gjermania është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën… dhe është krenare me të gjitha të arriturat e deritanishme”, ka thënë Gabriel, teksa ka uruar Haradinajn dhe popullin kosovar për 10-vjetorin e Pavarësisë.

“Ne e dimë që sfidat janë edhe më tej të mëdha”, ka deklaruar kryediplomati gjerman në Prishtinë.

“Gjermania dëshiron të mbetet edhe në të ardhmen një partner i qëndrueshëm, jo vetëm në sferën politike, por edhe ekonomike”, është shprehur ai.

“Shpresojmë që Kosova ta arrijë një stabilitet ekonomik dhe politik, sepse qytetarët e kanë merituar këtë”, ka thënë Gabriel.

“Duhet të zgjidhen sfidat, si zbatimi i ligjit, zbatimi i reformave, po ashtu edhe çështja e gjyqësorit të pavarur”, ka nënvizuar ministri i Jashtëm gjerman.

Gabriel ka thënë se Gjermania do të angazhohet që Kosova edhe më tej të përgatitet për, siç ka thënë ai, çështje jo të këndshme. “Një nga to janë edhe Dhomat e Specializuara, të cilat do të trajtojnë krimet e mundshme të luftës”, ka theksuar ai.

“Unë jam i lumtur që kam dëgjuar që ka vullnet për t’u zgjidhur edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi. E mbështesim këtë, sepse është në të mirë të qytetareve të Kosovës, në mënyrë që ky kriter të plotësohet dhe të ketë liberalizim vizash”, është shprehur Gabriel.

Kryediplomati gjerman ka folur edhe për qëndrimin e tij në Beograd sot.

“Ne, sot edhe në Beograd e kemi theksuar se për ne, natyrisht në qoftë se Serbia dëshiron të shkojë në drejtim të BE’së, duhet të plotësojë kriteret e shtetit ligjor, dhe natyrisht edhe të pranojë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Gabriel.

“Ky është një parakusht për rrugën e tyre në BE, dhe për këtë mund të llogaritni në mbështetjen tonë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme