Ndërkombëtarët: Miratojeni Demarkacionin, është i saktë

Prishtinë | 05 Dhj 2017 | 08:24 | Nga

Zyrtarë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, të Ambasadës së Francës e Norvegjisë kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta miratojnë versionin aktual të Demarkacionit, pasi marrëveshja e vitit 2015 e ruan kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës

Pavarësisht raportimit të Komisionit të Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, i cili konstatoi se Kosova humb territor nga versioni aktual i Demarkacionit, përfaqësuesit e huaj diplomatikë në Kosovë kanë thënë se kjo marrëveshje është e saktë dhe si e tillë duhet ratifikuar.

Madje sipas tyre, komisionet e mëparshme (duke përfshirë edhe atë ndërkombëtar) kanë bërë një ekzaminim të përgjithshëm rreth kësaj marrëveshjeje që tregon për saktësinë e kësaj marrëveshjeje.

Ambasada e Francës në Kosovë ka thënë për “Zërin” se të dyja palët, edhe ajo e Kosovës, edhe ajo e Malit të Zi, ishin pajtuar që ta nënshkruanin Marrëveshjen e Demarkacionit para më shumë se dy vjetësh.

“Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit, e arritur në vitin 2015, ishte nënshkruar nga Qeveria e Malit të Zi dhe nga Qeveria e Kosovës. Të dyja palët u pajtuan kështu së bashku për të definuar vijën kufitare”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ambasade.

Andaj, sipas zyrtarëve të saj, Marrëveshja e Demarkacionit mes dy shteteve duhet të miratohet.

“Kjo marrëveshje duhet të ratifikohet. Ajo ka të bëjë me kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës. Ajo është po ashtu një kusht i domosdoshëm që Kosova të ecë përpara drejt liberalizimit të vizave”, potencohet më tej.

Ndërkaq, Ambasada e Norvegjisë në Kosovë ka deklaruar se marrëveshja në fjalë, e arritur në vitin 2015, është krejtësisht e saktë.

“Norvegjia beson se komisionet e mëparshme si në Kosovë, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, kanë bërë një ekzaminim gjithëpërfshirës, tërësor dhe objektiv të demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi dhe beson se demarkacioni i përfunduar në marrëveshjen aktuale është e saktë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Norvegjeze dhënë “Zërit”.

Me këtë rast, duke folur rreth vendimit të Qeverisë që ta dërgojë në Kuvend Marrëveshjen e Demarkacionit, Ambasada ka thënë se Norvegjia e përshëndet vendimin në fjalë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme