Nderohet me medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes”, Qosja lavdëron dy kryeministrat shqiptarë

Prishtinë | 27 Sht 2021 | 14:43 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri shqiptar Edi Rama ia ka dorëzuar medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes”, akademikut Rexhep Qosja me rastin e 85-vjetorit të lindjes së tij, raporton Ekonomia Online.

Qosja falënderoi Ramën për nderin që ky i fundit i bëri, duke thënë se e ndjen veten të privilegjuar.

“Rama është njëri prej politikanëve më të mirë të Shqipërisë në këto 30 vitet e fundit, ka sjellë risi dhe fryte në jetën shoqërore”.

Qosja tha për dy kryemintrat shqiptarë se nuk janë vetëm politikan, por edhe intelektual krijues.

Për Kurtin, Qosja tha se është një prej intelektualëve që e shquan një cilësi të veçantë.

“Duhet ta dëgjojmë e ta shikojmë kur paraqitet në televizione, në tubime dhe mbledhje të ndryshme, për të parë e për të u bindur se Albin Kurti ka një kujtesë të jashtëzakonshme në të cilën janë mbledhë të dhëna sa në një bibliotekë mbi historinë e Evropës e ShBA-së dhe kontinenteve të tjera”.

Tutje, Qosja tha se të dy kryeministrat janë të çmuar prej popullit dhe se kjo u dëshmua në zgjedhjet e fundit të të dy vendeve.

Fjalë të mëdha për profesor Qosjen pati kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai tha se në kohën e regjimit komunist, i kishte rënë libri “Anatomia e Kulturës”, që sipas tij, ishte e kundërta e atij regjimi, duke thënë se përgjonte një aromë krejt tjetër të estetikës dhe kritikës marksist-lininist.

“Vetëdija atdhetare e Rexhep Qosjes është i pari dallues i një jete prej intelektuali të angazhuar dhe patrioti të palëkundur, një zotni burrë, në kuptim të plotë të kësaj shprehje. Profesor Qosja qëndron në kohë si shembull i gjurmimit të së mirës së përbashkët në një vend ku zhurmat mendore e kanë dominuar prej kohësh mjedisin public”.

“Ka qenë shumë vite më parë kur asaj kohe si nxënës në raftet e censuruara nga koha komuniste, mua më ra në dorë një libër me titull “Anatomia e Kulturës”. Nuk e di sesa herë i jam kthyer faqeve të atij libri që ishte i lejuar por kishte një ndjesi krejt tjetër dhe përgjonte një aromë krejt tjetër të estetikës dhe kritikës marksist-lininist, me të cilat ishim mësuar, dhe qysh atëherë unë u vëra në gjurmë të autorit të atij libri që në ato fare pak fotografi bardh e zi të asaj kohe mua më ngjante si dëshmitar i dinastisë mbarë shqiptare”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e nderimit të Rexhep Qosjes, tha se akademikut duhet t’i festohet ditëlindja dy herë, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri.

“Ngjarja e sotme tregon se ditëlindjet duhet t’ia kremtojmë dy herë, edhe Kosova edhe Shqipëria, sepse ka punuar shumë për të dyja vendet dhe për popullin shqiptar”, tha Kurti.

“Është një ndër personalitetet e rralla, kontributin e të cilit nuk e masim dot”.

“Kombi shqiptar është komb i gjuhës dhe i historisë, andaj nuk mund ta mendoj një personalitet tjetër të gjallë që mund të bëj bashkë të dyjat, pra gjuhën dhe historinë”.

Tutje, kryeministri kosovar u zotua se tani e tutje do t’ia festojnë çdo ditëlindje Qosjes, edhe atë të 90-të, e edhe atë të 100-të.

Ceremonia e dorëzimit të kësaj dekorate është bërë para drekës së përbashkët të dy kabineteve qeveritare, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës.

Të ngjashme