Ndërpreu konferencën e Trendafilovës, Perolli: Hasëm në dhunë të madhe nga Policia

Prishtinë | 07 Sht 2021 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Aktivistët e PSD-së e kanë ndërprerë sot konferencën për media të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Ata kanë hyrë në vendin ku po mbahej konferenca, derisa me fishkëllima e kanë ndalur fjalimin e kryetares së Speciales.

Një nga aktivistët, Lisjan Perolli, i ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin ka treguar se kanë hyrë shumë lehtë në hotelin ku po mbahej konferenca.

Ai ka deklaruar se aksioni para Trendafilovës ka shkuar me qetësi, por që me të dal poshtë hotelit ku po zhvillohej aksioni tjetër i PSD’së, ata kanë hasur në rezustencë.

Sipas tij, poshtë kanë hasur në dhunë të madhe nga ana e policisë.

“Aksioni ka përfunduar shumë shpejt neve na liruan shumë shpejt, nuk pati rezistencë aspak derisa zbritëm poshtë, teksa po zhvillohej aktiviteti i dytë, aty hasëm në rezistencë të policisë, hasëm në rezistencë dhe hasëm në dhunë jashtëzakonisht të madhe që ishte në disproporcion me aktivitetin që ishim duke e bërë”, ka thënë ai.

Perolli ka theksuar tutje se Trendafilova përfaqëson një gjykatë të padrejtë e të njëanshme, e cila siç është shprehur, po kalon në heshtje nga pushteti i Vetëvendosjes.

“Fillimisht unë iu drejtova sallës që nuk mund ta lejojmë në qetësi që të kaloj ky raportim sepse besojmë që Trendafilova si kryetare e Gjykatës Speciale rrjedhimisht edhe si përfaqësuese nuk mund të jetë ajo e cila e sjellë drejtësinë në Kosovë, përfaqëson një gjykatë të padrejtë të njëanshme, gjykatë e cila nuk po i gjykon të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe po kalon në heshtje të plotë nga pushteti i Vetëvendosjes”, ka theksuar ai.

Ai është shprehur se për PSD’në është e papranueshme që raportimi i Trendafilovës të kaloj me qetësi.

“Besoj që e kemi bërë të qartë që ne jemi kundër Gjykatës Speciale për shkak se ajo nuk mund ta sjell atë çfarë po kërkohet prej Kosovës që është drejtësia për viktimat në Kosovë. Është bërë e njëanshme teksa vetëm krimet e presopozuara të UÇK’së po i i gjykon për herë të katërt”, ka shtuar ai.

LEXO EDHE

Të ngjashme