Nuland të dielën në Kosovë, nuk e takon opozitën

Prishtinë | 09 Kor 2016 | 15:15 | Nga

Ndihmës sekretarja e shtetit amerikan, Victoria Nuland, nesër do ta vizitojë Kosovën, ku do të takojë krerët e shtetit. Takimet me zyrtarët shtetërorë do t’i nisë nga mëngjesi, ndërsa me zyrtarët opozitarë nuk është paralajmëruar se do të ketë takime.

Brenda dy orësh ajo do t’i kryejë takimet me krerët e shtetit, e cila si duket do t’u përcjellë edhe mesazhe të qarta, shkruan EkonomiaOnline.

Takimin e parë, Nuland do ta ketë në ora 8:20 me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në ambientet e Presidencës. Ndërkaq sipas njoftimit, nuk do të ketë prononcime për media, por vetëm pamje.

Takimin e radhës ajo do ta zhvillojë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në ora 08:50, në ndërtesën e Kuvendit.

Takime tjera do t’i vazhdojë nga ora 9:25 me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, zëvendës-kryeministrin e parë, Hajredin Kuçi dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në Zyrën e kryeministrit.

Nuland, vizitën e saj në Kosovë do ta përmbyllë me takimin që do ta zhvillojë në ora  10:15 me zëvendës-kryeministrin, Brainimir Stojanoviq, në ndërtesën e Qeverisë.

Të ngjashme