Ndikimi i Kushnerit në marrëveshjen finale me Serbinë

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Jared Kushner, si Këshilltar Special i presidenti Donald Trump ka një ndikim të madh në politikën e jashtme.

Ai është personi i cili është përfshirë direkt në politikën e SHBA-ve për Izraelin dhe Palestinën edhe pse ai nuk ka përvojë të diplomacisë së Lindjes së Mesme.

Burime brenda delegacionit që ishte i pranishëm në Uashington, kanë konfirmuar për arbresh.info se Kushner nuk ishte në takimin e presidentit Hashim Thaçi dhe të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Kushner duket se nuk ka patur interesim të jetë në takimi Thaçi-Grenell, derisa shihet se ishte pjesë e takimit ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Grenellit.

Këto takime i kanë paraprirë një takimi të përbashkët të katër figurave që pritet t’i japin epilog marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas analistëve, pavarësisht mos pranisë së Kushner në takimin Thaçi-Grenell, politika amerikane nuk është politike stinore presidenciale.

Analisti, Rexhep Shehu vlerëson se nuk mund t’i jap askush përparësi Serbisë, “xhelatit para viktimës”.

“Ka në botë, e në Shqipëri, e Kosovë tendenca për ta forcuar e rritur antiamerikanizmin, por sado që të rritet, nuk mund të bëhet frymë dhe kulturë antiamerikanizmi tek shqiptarët, por do të mbetet sport i komunistëve e neokomunistëve, sport viktimash që adhurojnë xhelatin”, shprehet Shehu.

Sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, prezenca e Kushner nuk është përcaktuese për atë që do të dakordohen palët.

“Prezenca e Jared Kushner nuk është determinuese në arritjen e marrëveshjes finale në mese dy shteteve. Sepse në fund të fundit dhëndri pavarësisht qëndrimeve pro-serbe nuk është vendimmarrës në këtë dialog”, shprehet Shala.

Dy presidentët, Thaçi e Vuçiq, pas kthimit nga Uashingtoni, e vlerësuan si takim shumë të rëndësishëm për interesat e Kosovës dhe Serbisë, por pa specifikuar dakordimet e mundshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme