Ndjekësit në ‘facebook’, disa prej tyre mërgimtarë, të zhgënjyer me Kurtin- ja çfarë i komentojnë

Prishtinë | 03 Pri 2021 | 11:50 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje përmes Qeverisë dhe Kuvendit ka provuar që të miratojë me procedurë të përshpejtuar disa ndryshime në Ligjin për Zgjedhje të Republikës së Kosovës.

Megjithatë një veprim i tillë ka nxitur reagim të ashpër nga opozita, meqë Kurti i ka injoruar plotësisht nga një proces i tillë, duke qenë se koalicioni që udhëheq ka 68 vota, gjithmonë duke llogaritur minoritetet joserbe.

Ashpër ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si shantazh një iniciativë të tillë të Vetëvendosjes, derisa ka thënë se veprime të tilla rrezikojnë edhe konstruktivitetin që LDK ka treguar duke e zgjatur dorën e bashkëpunimit për zgjedhjen e presidentit.

Abdixhiku ka thënë se janë për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje, por jo në mënyrën që ka zgjedhur ta bëjë VV dhe ka ftuar Kurtin që ta tërheq një ligj të tillë dhe të mos e çojë vendin në zgjedhje. Edhe shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi, ka thënë se pa e tërhequr ligjin, LDK s’merr pjesë në seancën për presidentin.

E duket se e gjithë kjo situatë e krijuar ka irrituar ata që në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë zgjedhur ta votojnë Lëvizjen Vetëvendosje. Në profilin zyrtar të Kurtit shumë ndjekës, disa prej tyre që jetojnë në diasporë, kanë shprehur zhgënjim me veprimet e Kurtit, duke thënë se nëse shkon vendi në zgjedhje, nuk do të votojnë më për VV’në dhe Kurtin. Të njejtit i kanë bërë thirrje që të merret me pandeminë dhe situatën ekonomike.

“Unë luftova më mish i shpirt në mundësit e mia që LVV të fitojë zgjedhjet të cilat u fituan më plebishit!

Mbrëmë na zgjënjeve!

Së pari u dashtë të zgjidhet presidentja, Vjosa sepse kjo na qonë në zgjedhje!

Ligji për zgjedhjet nuk na qonë në zgjedhje, duhej të aprovohej pas zgjedhjes së Vjosës!

Ju dhe një kartë të fort atyre që i mundëm!”, shprehet i zhgënjyer një komentues.

“Z.Kurti, jam një votus edhe unë nga diaspora i rregullt kam votu për VV, po nuk kupton askush pse do me e qu vendin në zgjedhje vetëm për një ligj”, shkruan një komentues.

“Albin, unë si mërgimtarë e shoh ma të rëndësishme me procedu me konstituimin e institucioneve, me zgjedhjen e Vjosës presidente”, shkruan një tjetër.

Derisa shumë të tjerë thonë se pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike janë çështje primare me të cilat duhet të merret Qeveria dhe jo me ligjin për Zgjedhje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme