Ndryshimi i Ligjit për Familjen merr përkrahjen e Komisionit për Legjislacion

Prishtinë | 23 Jan 2018 | 15:23 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka shqyrtuar kërkesën e Luljeta Aliut për qartësimin e disa neneve të Ligjit për Familjen, raporton Ekonomia Online.

Luljeta Aliu, qytetarja e cila ka marrë nismën për të kërkuar nga komisioni rishqyrtimin e ligjit për Familjen tha se paqartësitë në nenet e këtij ligji po bëjnë që të mos interpretohet siç duhet nga gjyqtarët dhe kështu po dëmtohen palët që në të shumtën e rasteve janë gratë.

“Ky rregullim nuk ka të bëj vetëm me të drejtat e grave. Ka pika ka çështje që duhet t’i rregullojmë. Gjithashtu kishte me u rregulluar edhe mirëqenia e gjysmës së popullatës andaj dhe ju keni përgjegjësi sepse edhe ato ju kanë votuar po ashtu është edhe në interes të fëmijëve se ata që pësojnë më së shumti nga divorcet nga parregullsitë në ndarjen e pasurisë pas divorcit janë fëmijët”, tha Aliu.

“Synimi kryesor me Këtë propozim është që të parandalohet dhuna ekonomike ndaj grave. 42 % e grave i nënshtrohen dhunës dhe kjo dhunë sipas hulumtimeve nuk bëhet për shkak të papunësisë por në raste kur burri është i punësuar e gruaja jo. Neni kryesor është 47 i cili e përcakton ndarjen e pasurisë së përbashkët aty nëse e shihni thuhet se pasuria e përbashkët ndahet në pjesë të barabarta nëse ndryshe nuk janë marrë vesh pa marrë parasysh a ka punuar a jo gruaja. Unë besoj se nëse neni 47 saktësohet me një paragraf tjetër ku thotë se puna në familje marrja me fëmijë e me shtëpi është e barasvlershme me punën fitimprurëse  jashtë shtëpisë”, tha ajo.

“Ajo çfarë po ndodh është se gjyqtarët po vendosin në mënyrë arbitrarë. Pjesa tjetër për shembull neni 305 i ligjit për familjen  i cili mban një gabim teknik ku një pjesë e cila thotë se në nenin 306 në paragrafin 3 në ketë nen nuk ka paragraf numër tre. Andaj edhe kjo ikë po keqpërdoret. Sepse e ka lidh nenin 305 me 302. Termi ushqimi është i gabueshëm se pse nuk dihet se për çka përdoret. Po përdoren gjana që po të lejojnë me u keqpërdoru ligjin. Duhet të shihet tek neni ushqimi dhe alimentacion”, u shpreh ajo.

Kryetarja e komisionit për Legjislacion dhe Mandate, Albulena Haxhiu, tha se do të përkrah këtë nismë dhe beson që edhe komisioni do të përkrah këtë.

Ajo tha se kjo është me rëndësi për shkak se për shkak të mentalitetit patriarkal po merren vendime jo të drejta.

Ndërsa Arben Gashi tha se kjo iniciativë sikurse e Aliut nuk është praktikë nëpër komisione. Gashi gjithashtu tha se nuk ka ndonjë gjë që mund të bëjnë për këtë çështje mirëpo vetëm mund të angazhohet që të mbështesin këtë nismë.

“Nismat legjislative që merren nga qytetarët e ka ë një rrugë të veten. Për të pranuar me ardhur në komision nuk ndodh me ardhur në komision. Pa pas një përfaqësim sepse jo gjithsecili mundet me ardhur në Kosovë. Shqetësimet që ju i ngritët janë reale. Ky material që ke i dërguar  konsiderohet vetëm material studimor. Ajo çka mundemi me bo ne është me marr një nisme për me i ndryshuar këto pjesë. Por çka mendoj unë është se ndoshta me kërkuar prej Zyrës së Kuvendit me pas se sa janë të sakta këto pretendime të juaja dhe se çfarë duhet të bëhet ose me i propozuar kuvendit që me i kërkuar qeverisë ne i rishikuar këto ligje”, tha Gashi.

Edhe deputeti i pavarur, Korab Sejdiu e përkrahu iniciativën e Luljeta Aliut.

“Është një përpjekje e madhe për një individ unë e përgëzoj që ka gjet mënyrë. Çështja që ju e ngritni është çështje e mentalitetit.  Unë besoj fryma e propozimit tuaj meriton një trajtim serioz nga ana jo vetëm e komisionit por edhe e kuvendit. Ne duhet të keni një strategji më të përgjithshme përveç saktësimit të disa neneve”, tha Sejdiu.

Të ngjashme