Në bordet e reja të ndërmarrjeve publike që i shkarkoi Qeveria në detyrë Kurti, përsëri emërime politike

Prishtinë | 03 Pri 2020 | 19:26 | Nga Ekonomia Online

Vetëm rreth 2 javë para zgjedhjeve të 2019-s, atë kohë kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, kishte nënshkruar këtë dokument të organizatave të shoqërisë civile.

Aty zotohej për 6 pika të ndryshme nëse zgjidhet kryeministër e ajo e gjashta thoshte se ‘Do të ketë depolitizim në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të agjencive dhe ndërmarrjeve publike’.

Por, 6 muaj më vonë nga ky nënshkrim, Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti ka shkarkuar 3 borde ndërmarrjesh publike për t’i zëvendësuar ato me njerëz të lidhur me Vetëvendosjen, raporton KOHA.

Në krye të Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, është emëruar ish-kandidati i Vetëvendosjes për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, Mentor Hyseni.

Hyseni verën e kaluar ishte anëtarësuar në partinë e kryeministrit në detyrë.

Pas tij, renditen Hajrie Morina e Seat Bilibani, ky i fundit ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2017-s, nga radhët e partisë së ministres aktuale të Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Rexhep.

Artan Dërmaku, një tjetër bashkëpartiak i Kurtit u rehatua përkohësisht në një tjetër ndërmarrje, duke u caktuar për të mbikëqyrë “Hekurudhat e Kosovës” – Infrakos.

Bashkë me Dërmakun në bordin e Infrakosit do të shërbejë edhe ish-udhëheqësi i Qendrës së Vetëvendosjes në Podujevë, Abdullah Lala.

Kryesues i bordit do të jetë Enis Berisha dhe anëtare tjetër do të jetë Vjollca Jashari.

Edhe në Postën e Kosovës, kryeministri ka dërguar një anëtar të Vetëvendosjes. Mentor Arifaj do të kryesojë me Bordin e Postës së Kosovës.

Anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes “Posta e Kosovës” janë emëruar: edhe Kujtim Shala, Sajmie Thaçi dhe Blerton Abazi.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbrojtur vendimin e tij, ashtu sikurse paraardhësit, duke thënë se këta persona që u emëruan janë profesionistë.

Përzgjedhja e këtyre bordeve është bërë nga Ministria e Ekonomisë, sipas së cilës këta ishin njerëzit më të mirë e profesionalë që ka mundur t’i përzgjedhë në një kohë kaq të shkurtër.

Deri më tani Qeveria Kurti ka shkarkuar 5 borde, duke përfshirë edhe Bordin e Telekomit dhe atë të SHSKUK-së.

Të ngjashme