Në Bruksel pritet përplasje

Prishtinë | 01 Shk 2017 | 08:27 | Nga

Dialogu në nivel politik pritet të vazhdojë sot në Bruksel, ku temë diskutimi do të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe zotimi i dy palëve për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët.
Edhe pse ky takim zhvillohet në një periudhë kur situata e sigurisë dhe ajo politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e tensionuar, në Prishtinë nuk presin se do të ketë diçka pozitive.

Madje opozita sërish e quan gabim vazhdimin e dialogut në një periudhë kur Serbia provokon sigurinë e Kosovës edhe me konflikt të armatosur.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, pret që takimi i nesërm të kontribuojë në zbatimin e marrëveshjeve të pazbatuara deri më tani.

“Pres që ky takim të kontribuojë për zbatimin e marrëveshjeve të pazbatuara dhe se palët të zotohen për zbatimin efektiv dhe pa vonesë të marrëveshjeve që janë në pritje të zbatimit, sidomos marrëveshja për energjinë, drejtësinë dhe Asociacionin”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Më tej Tahiri thotë se vazhdimi i dialogut në nivelin politik në Bruksel tregon angazhimin maksimal të BE-së për normalizimin e raporteve në Ballkan.

“Është shumë me rëndësi që po vazhdon dialogu i nivelit politik në Bruksel dhe kjo tregon angazhimin maksimal të BE-së dhe përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, për të rritur rezultatet e dialogut për fqinjësi dhe paqe në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, dhe për të tejkaluar tensionet dhe provokimet e njëpasnjëshme të kohëve të fundit të bëra nga Serbia”, ka thënë Tahiri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme