Në Bruksel, vetëm delegacioni

Prishtinë | 04 Jan 2019 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesit e delegacionit shtetëror për dialogun Kosovë – Serbi pritet që më 8 janar të këtij viti të udhëtojnë për në Bruksel, ku do të takohen me ndërmjetësuesen e këtij procesi, Frederika Mogerini. 

Me këtë rast kryesuesi i ekipit negociator, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur për “Zërin” se ky takim do të jetë vetëm konsultativ. Pavarësisht se të martën e javës që vjen ekipi për dialogun do të qëndrojë në Bruksel, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk do të jetë pjesë e kësaj vizite.

Zëvendëskryeministri i Kosovës e njëkohësisht kryesues i delegacionit shtetëror për dialogun, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur se takimi i ekipit në Bruksel do të jetë më tepër takim njoftues dhe konsultativ.

Me këtë rast ai ka pohuar se në Bruksel do të shkojë vetëm delegacioni, pa presidentin e Kosovës Hashim Thaçin.

“Ideja është një takim mes delegacionit shtetëror dhe ndërmjetësuesit në proces, më tepër njoftues dhe konsultativ. Do të thotë do të jetë vetëm delegacioni shtetëror”, ka deklaruar Limaj.

Sa i përket asaj që do të flitet në Bruksel në kuadër të procesit, Limaj ka thënë se një gjë e tillë do të përcaktohet në platformën që pritet të bëhet.

“Së pari, duhet të them që ne po shkojmë vetëm në takim konsultativ, ndërsa siç e dini delegacioni është duke e përgatitur një platformë. Delegacioni shtetëror është votuar përmes një rezolute. Mandati ynë është i qartë, i cili është dhënë nga Parlamenti, duke u bazuar në rezolutë. Besoj që shumë shpejt do ta shihni edhe projektplatformën”, ka theksuar ai.

Ndërkaq presidenti i Kosovës Hashim Thaçi para disa ditësh ka njoftuar se do të jetë në Brezovicë ditën kur ekipi negociator do të takohet me zyrtarët e Bashkimit Evropian.

“Me propozimin tim ekipi negociator është pajtuar që më 8 janar të jetë në Bruksel, kurse unë do të jem në Brezovicë, në skijim”, ka deklaruar kreu i shtetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme