Në ditën e parë të Qeverisë Kurti 2, një ministër del se ka aktakuzë për korrupsion

Prishtinë | 23 Mar 2021 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e i cili këtë detyrë ka nisur ta ushtrojë sot, rezulton i akuzuar për korrupsion.

Aktakuza, sipas Betimit për Drejtësi, është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020. Sipas aktakuzës, ai ngarkohet me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë kohës sa ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

“Sipas kësaj aktakuze të ngritur nga prokuroria rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen ‘Prishtinën e Re’ Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi”, shkruan Betimi për Drejtësi.

Liburn Aliu fitoi mandatin e deputetit në zgjedhjet e 14 shkurtit, mirëpo dje u votua si ministër në Qeverinë Kurti 2, për çka duhet të dorëzojë postin e deputetit.

Gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit, kryeministri Albin Kurti, premtoi se në kabinetin e tij nuk do të ketë asnjë ministër me aktakuzë për korrupsion.

Qeveria Kurti 2, sot ka mbajtur mbledhjen e parë, atë ceremoniale

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme