“Në LDK ka mbeturina që flasin për demokraci, por brenda janë të krimbur”

Prishtinë | 27 Kor 2019 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Rita Hajzeraj-Beqaj ka shpërthyer me akuza në drejtim të Partisë së Isa Mustafës. Ajo ka thënë se e kishin eliminuar nga gara për deputete në zgjedhjet e fundit pavarësisht se ishte pjesë e Kryesisë së LDK-së. Është ankuar se partia e ka linçuar. Ndërsa, ka thënë se në Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova ka ende mbeturina që flasin për demokraci e që janë të krimbur

Një ish-deputete dhe ish-Zëvendësministre e LDK-së po thotë se në Partinë e Isa Mustafa kanë grupe që linçojnë, eliminojnë edhe anëtar të Kryesisë.

“Kam qenë e linçuar totalisht”, thotë Rita Hajzeraj-Beqaj.

Në një reagim dërguar Gazetës Express, për raportimin e punësimit të saj në Agjencinë e Pyjeve, ajo ka sqaruar shumëçka lidhur me ftohjen e raporteve të saj me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Para se të shkruani për punësimin tim është dashur të shkruani për padrejtësinë që është bërë ndaj meje nga një grup i ngushtë i Kryesisë së LDK-së. Punësimi im është bërë duke respektuar ligjin”, ka shkruar ish-deputetja e LDK-së.

Për herë të parë, anëtarja e Kryesisë së LDK-së, ka shpalosur planin e disa njerëzve të LDK-së që e kishin eliminuar nga gara për deputete dhe nga Partia.

Ajo nuk ka përmendur asnjë emër se kush ishin ata që e larguan e linçuan nga partia.

“Edhe pse jam lutur në Kryesi që si Zëvendësministre dhe person publik të ofrojë edhe disa emra të tjerë të gjinisë femërore për t’i inkuadruar në listën për deputetë ngase ende ka pasur vend. Unë vrapojsha ne gjet gra e vajza për të qenë pjesë e listës sepse ashtu isha lutur nga Kryetari në mbledhjen e Kryesisë, ndërsa në anën tjetër anëtarja e Kryesisë të hiqet në momentet e fundit nga lista pa asnjë paralajmërim dhe shpjegim është e pafalshme”, ka shkruar Hajzeri-Beqaj.

Zyrtarisht, Hajzeraj-Beqaj është pjesë ende e Kryesisë së LDK-së.

Por, ajo ka treguar se ka dy vjet që askush s’e fton në mbledhjet e Organit Ekzekutiv të Partisë.

“Për më tepër, prej asaj dite që jam hequr nga lista për deputete pa shpjegim nga ana e Kryesisë së LDK-së asnjëherë s’jam ftuar të marrë pjesë ne mbledhjet e Partisë. Prej atëherë asnjëherë s’e kam parë veten pjesë të Kryesisë së LDK-së”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se po të ishte pjesë e LDK-së nuk do të fitonte Haki Rugova me vetëm katër vota diferencë ndaj Gani Dreshajt të AAK-së.

“Kjo është tregues i qartë se në LDK ka ende mbeturina që në publik flasin për një demokraci të mirëfillt por nga brenda janë të krimbur”, ka akuzuar Hajzeraj-Beqaj.

Deri më tash s’ka dhënë dorëheqje nga Partia pavarësisht se në vitin e fundit ajo s’ka marrë pjesë pothuajse në asnjë mbledhje të LDK-së.

LDK-ja pritet të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm të dielën e javës së parë të gushtit. Aty, pritet të votohen organet e reja të Partisë përfshirë edhe Kryesia e re.

Javën e kaluar LDK s’ka mbajtur asnjë aktivitet pasi Isa Mustafa kishte udhëtuar për në Gjermani.

Në LDK kanë thënë se Mustafa ka qenë në një trajtim në një banjë në Gjermani ku ka pasur edhe kontrolle shëndetësore.

Të ngjashme