Në prag të vizitës së Lajçakut, Qeveria përjashton bisedimet rreth Asociacionit

Prishtinë | 12 Tet 2020 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Pala kosovare nuk do të pranojë negociata shtesë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ashtu siç po insiston Serbia.

Ky është qëndrimi që ka dhënë Zyra e Kryeministrit Hoti në prag të vizitës së emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, e ku temë pritet të jetë edhe Asociacioni. Megjithëkëtë Qeveria ka konfirmuar se do ta përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e tij, por që nuk do të pranojë të shtrohet edhe një herë si temë në tryezën e bisedimeve me shtetin serb, raporton KOHA.

“Në vazhdën e këtyre detyrimeve dhe obligimeve Kosova e ka përmbyllur procesin negociues për Asociacionin qysh atëherë kur është arritur marrëveshja për një subjekt të tillë. Për pasojë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta pranojë shtrimin e kësaj teme në tryezën e bisedimeve, por do të respektojë detyrimet e marrëveshjes së arritur, të cilat më pas janë normuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së kryeministrit.

Partnerët e LDK-së në Qeveri, AAK-ja dhe subjektet opozitare, i kanë kundërshtuar negociatat për Asociacionin. Zërave kundër u është bashkuar edhe presidenti Hashim Thaçi, ani pse është nënshkrues i Marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013, e cila në gjashtë pikat të saj flet për themelimin e Asociacionit.

Lajçak por edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë thënë se pala kosovare duhet t’i propozojë modalitetet e këtij mekanizmi.

Pavarësisht shkeljeve të konstatuara nga Kushtetuesja, qeveria Mustafa dhe ajo Haradinaj patën vazhduar angazhimet për themelimin e Asociacionit duke krijuar ekipin menaxhues për draftimin e statutit. Afati i fundit për ta dërguar statutin në Bruksel ka qenë 4 gushti i vitit 2018. Por Qeveria e as BE-ja nuk kanë treguar asnjëherë se çfarë ka ndodhur me këtë dokument.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se Kosova në mënyrë të padrejtë po fajësohet për vonesat.

“Pala serbe e ka humbur interesimin që Asociacioni të themelohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ata pra janë të interesuar që kjo temë të rihapet nga fillimi në Bruksel dhe statuti i Asociacionit të hartohet në Bruksel”, ka thënë Violeta Haxholli nga KDI.

Takimi i planifikuar mes Kosovës dhe Serbisë për 28 shtator në Bruksel është shtyrë me arsyetimin e rrezikut nga pandemia.

Të ngjashme