Në Projekt-Kodin e Drejtësisë për të Mitur, të dënuarve tu garantohet shkollimi në të gjitha nivelet

Prishtinë | 06 Pri 2018 | 12:25 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka mbajtur dëgjim publik për Projekt-Kodin e Drejtësisë për të Mitur, pa prezencën e ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri.

Kryetarja e këtij komisioni Albulena Haxhiu paraqiti disa vërejtje lidhur me projekt-kodin e Drejtësisë për të Mitur, raporton Ekonomia Online.

Sipas saj, kodi ka shumë probleme, ka shumë gabime gjuhësore që i bëjnë të pa kuptueshme nenet apo dispozitat përkatëse.

Sipas saj, në Projekt-Kodin e Drejtësisë për të Mitur, të dënuarve duhet tu garantohet shkollimi në të gjitha nivelet.

“Është emergjente dhe e nevojshme që të miturit të shkollohen. Është edhe kërkesë e fëmijëve qe ata të shkollohen. Ne kemi formuar grupin punues. Qëllimi i këtij dëgjimi publik është që tu marrim vërejtjet nga institucionet të cilat janë të thirrura ta zbatojnë ligjin për të mitur. Ky kod ka shumë probleme, ka shumë gabime gjuhësore që i bëjnë të pa kuptueshme nenet apo dispozitat përkatëse”.

“Duhet të bëhen disa sqarime, ajo që duhet të fokusohemi është arsimimi për të mitur. Ajo çka më ka shqetësuar është edhe linja e të miturve me të rritur dhe ata që janë të akuzuar për vepra të rënda penale. Arsyetimi për këtë ka qenë se nuk ka vende të mjaftueshme”, tha ajo.

Përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë Faton Fetahu tha se janë konsultuar me akterë të ndryshëm në mënyrë që të plotësohet ky kod.

“Ideja është që të sigurohet arsimimi në nivelin që është në tërë Kosovën. Problemi është në aspektin financiar për sigurimin e mësimdhënësit. Do të rishikohet ligji dhe do të lihet vend për shkollimin universitar. Ne kemi konsultuar një numër të madh akteresh siç janë Policia,  Oda e Avokatëve etj në mënyrë që të gjitha palët e përfshira të trajtohen me kujdes sipas ligjit”, tha ai.

Ardian Bajraktari përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë tha se janë të përkushtuar të bëjnë sa më funksional ligjin.

“Ky projekt kod është rezultat i Ministrisë së Drejtësisë për fuqizimin e legjislacionit për fushën që është thirrur të punoj. Ky projekt-kod i është nënshtruar edhe ekspertizave shtesë të UNICEf-it. Një vëmendje e madhe u është kushtuar një kategorie që deri tash ka qenë e pambuluar, përmes një kapitulli të veçantë trajton moshat të cilat s’marrin përgjegjësi penale”, tha ai

Heset Loku drejtor i Qendrës për fëmijë dhe femra në Lipjan, tha se nuk kanë hapësirë për kategorizim të fëmijëve në objekt.

“Ndonjëherë kemi probleme edhe në për ti obliguar për të shkuar në mësim sepse nuk dëshirojnë. Janë zgjedh 7 arsimtarë të rregullt që mbajnë mësim. Ndërkaq arsimi universitar nuk është i rregulluar as me ligj”.

“Ne institucion, ne nuk kemi hapësira për vendosjen sipas kategorive në institucion. Ky projekt-kod do të ndihmoj mjaft në përmirësimin e ligjit.  Sipas draftit të parë  i mituri ka të drejtë pushim vjetor prej 30 ditësh mirëpo në këtë projekt-kod nuk është, dhe propozoj që kjo të shtohet”, tha ai.

Fatmire Haliti QKRMT tha se para se të dërgohet në Kuvend duhet të merren në konsideratë edhe komentet lidhur me këtë projekt-kod.

“Unë kisha kërkuar qe ta shqyrtoni edhe njëherë këtë projekt kod para se të shkoj në Kuvend, duhet t’i merrni në konsideratë edhe komentet e OJQ-ve, të OSBE dhe EULEX në mënyrë që ligji të bëhet më i zbatueshëm. Ka shumë gabime teknike dhe gjuhësore të cilat do të sjellin ngecje në zbatimin e ligjit në praktikë”, tha ajo.

Të ngjashme