Në takimin e 4 majit në Berlin, Beogradi pret presione

Prishtinë | 02 Maj 2022 | 12:14 | Nga Ekonomia Online

Lufta në Ukrainë, marrëdhëniet bilaterale si dhe çështjet rajonale do të jenë temat kryesore në takimin e presidentit Aleksandër Vuçiq me kancelarin gjerman Olaf Scholz, të mërkurën në Berlin. Një nga temat kryesore do të jetë edhe Kosova.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq do të takohet të mërkurën në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Ky do të jetë takimi i parë i Vuçiqit me kancelarin i ri gjerman.

Sipas mediave serbe, Wolfgang Bichne, zëdhënës i Qeverisë gjermane, konfirmoi se takimi është planifikuar për të mërkurën në orën 17:30 në ndërtesën e qeverisë gjermane. Para takimit me Vuçiqin, kancelari gjerman Olaf Scholz do të presë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria gjermane ka njoftuar se në të njëjtën ditë do të diskutohet edhe për Kosovën. Sipas njoftimeve, Vuçiq dhe Kurti do të takohen të mërkurën në mbrëmje, në prani të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, i cili po ashtu do të vijë në Berlin me ftesë të kancelarit gjerman.

Takimi i së mërkurës do të jetë takimi i tretë mes Vuçiqit dhe Kurtit. Takimi i fundit i dy zyrtarëve është mbajtur në korrik të vitit të kaluar në Bruksel, por ka përfunduar pa asnjë marrëveshje. Para vizitës së tij në Berlin dhe bisedimeve për Kosovën, Vuçiq tha se nuk pret asgjë mire.

“Ne nuk po bisedojmë, jo me dëshirën dhe vullnetin tonë, por me ata që nuk mendojnë të flasin për atë që kanë nënshkruar dhjetë vjet më parë. Unë jam skeptik i madh për atë çështje, dikur kemi pasur një dialog real, sot ai dialog nuk ekziston me Kurtin”, tha Vuçiq.

Në një deklaratë për media javën e kaluar, Vuçiq tha se nuk ka pritje të mëdha duke shtuar se pret që Scholz ta dëgjojë Serbinë për procesin e dialogut.

“Është një mundësi e mirë që do të kemi pak kohë për t’i shprehur pikëpamjet tona”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë tha se situata ne lidhje me Kosovën “nuk është e mire”, se serbët në Kosovë “janë nën presion të fortë” dhe se gjithçka po shkon drejt “kërkesës per njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia”.

“Situata në Kosovë është dramatike, sepse duan të përdorin situatën në Ukrainë për të ndikuar tek serbët që të pranojnë diçka”, tha presidenti i Serbisë.

Pas këtij takimi, Vuçiq do t’i drejtohet kombit te premten. Mendohet se Vuçiq do të flasë për mesazhet nga Gjermania si dhe për drejtimin e politikës së jashtme të Serbisë në lidhje me luftën në Ukrainë.

Njohësit e zhvillimeve në Beograd vlerësojnë se takimi në Berlin është përpjekje e Perëndimit te intensifikon bisedimet për zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon, Kosovë dhe BeH.

Ata theksojnë se me vizitën e Vuçiqit në Berlin dhe takimin me Scholz, Lajçak dhe Kurti, shtohen presione ndaj Serbisë që të harmonizohet politikën e jashtme me atë të përbashkët të BE-së për çështjen e Ukrainës, dhe të rifillojë dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në mënyre te ketë rezultate.

Analistet politikë vlerësojnë se me takimin Vuçiq-Kurti në Berlin në pranin e Lajçakut dialogu do të rikthehet në agjendë. Theksohet se koheve te fundit shpesh nga BE-ja, si dhe gjatë vizitave të zyrtarëve amerikanë, është dëgjuar nevoja që të dyja palët të vazhdojnë dialogun dhe të kenë progres.

Beogradi zyrtar beson se për të avancuar në dialog është e nevojshme të zbatohet gjithçka që është dakorduar, e sidomos të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, gjë që Prishtina e refuzon.

Në Serbi besohet se pas fillimit të luftës në Ukrainë, aktivitetet diplomatike të SHBA-së dhe Gjermanisë në rajon u intensifikuan.

Një rol më aktiv të Gjermanisë vërehet pas vizitës së fundit të ministres së Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock në Ballkanin Perëndimor. Përveç Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, Gjermania ka për herë të parë një të dërguar Special për Ballkanin Perëndimor, dhe tani ne Berlin organizohet takimi në nivelin më të lartë politikë midis Sërbisë dhe Kosovës./RTK

Të ngjashme