Në ueb-faqen e MPJD-së ende figurojnë në të emrat e ambasadorëve të shkarkuar

Prishtinë | 05 Tet 2021 | 20:43 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse ka katër muaj që janë shkarkuar nga pozita e ambasadorit, emrat e ambasadorëve të shkarkuar figurojnë endë në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Të shkarkuarit janë kthyer nga vendet ku kanë shërbyer në fund të muajit gusht, por emrat e tyre janë ende në uebfaqen e ministrisë.

Me një kërkim të thjeshtë në faqen e MPJD-së mund të gjenden emrat e të gjithë diplomatëve që ministrja, Donika Gërvalla i shkarkoi pak kohë pasi e mori mandatin.

Gërvalla kishte thënë se këta ambasadorë kishin qenë të emëruar politikë dhe disa prej tyre kishin qëndruar në misione jashtë vendit përtej mandatit të lejuar sipas ligjeve që rregullojnë shërbimet diplomatike.

Nga Ministria që e udhëheq Gërvalla kanë thënë më 5 tetor se kanë përfunduar procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj dhe tani po presin pëlqimin nga shtetet pritëse. E deri atëherë, si duket, ueb-faqja e ministrisë do të qëndrojë e pa përditësuar.

MPJD në një përgjigje për “Reporteri.net” ka thënë se ka përfunduar të gjitha procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj, por ata nuk kanë treguar emrat e të propozuarve.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka përfunduar të gjitha procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj. Aktualisht ndodhemi në fazën e pritjes së pëlqimeve nga shtetet pritëse. Pasi të përfundoj ky proces i rregullt, MPJD-ja do ta informoj opinionin publik për të gjitha detajet”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Gazetën Online “Reporteri.net”.

Tërë këta muaj pas shkarkimit, ende asnjëri nga ambasadorët politik nuk është zëvendësuar me tjetër, teksa.

Kujtojmë që janë shkarkuar nga detyra e ambasadorit Beqë Cufaj (Gjermani), Arbër Vllahiu (Çeki), Nait Hasani (Shqipëri), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gezim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Hajdin Abazi (Australi), Gjergj Dedaj (Maqedoni e Veriut), Ylber Hysa (Mal i Zi) dhe Amir Ahmeti (Katar).

Washingtoni, Londra, Parisi, Brukseli, Berlini, Tirana, Shkupi, Tokio, Haga, Budapesti, Kanbera, Doha, Zagrebi, Praga, Bangoku, Lubljana e Podgorica janë kryeqendrat e vendeve ku Kosova ka mbetur pa shefa të misioneve diplomatike.

Të ngjashme