Në vitin 1991 për Kosovën shtet sovran u deklaruan mbi 99 për qind e votuesve

Prishtinë | 27 Sht 2017 | 15:44 | Nga

Pikërisht para 26 viteve, në 27 shtator 1991, shtypi i kohës, gazeta e rezistencës “Bujku”, e vetme e përditshme shqipe që dilte në Kosovë atëherë, në kryetitullin në ballinë shkruante: “Kosova filloi Referendumin për Sovranitet”.

Kryeartikulli theksonte: “Republika e Kosovës filloi referendumin për të ardhmen e vet: Shtet Sovran dhe i Pavarur. Referendumi i parë historik i Kosovës i shprehjes së vullnetit të lirë politik të popullit filloi në kushte e rrethana shumë të rënda që po përjeton Kosova nën pushtetin policor serb, prandaj vota për sovranitet e pavarësi është edhe votë e deklarimit demokratik e paqësor për liri e barazi të plotë për çka shqiptarët në Kosovë dhe në Jugosllavi edhe para këtij referendumi janë deklaruar fuqishëm me shumë forma të shprehjes e të manifestimit të vullnetit të lirë.

Siç merret vesh nga Komisioni qendror për zbatimin dhe për përcjelljen e referendumit në Kosovë dhe nga komisionet nëpër komuna dhe siç njoftojnë reporterët dhe korrespondentët tanë nga terreni, kudo ka entuziazëm e gatishmëri për këtë vetpërcaktim demokratik të fatit dhe të ardhmërisë së popullit të Kosovës”, rikujton tash Behlul Jashari, kryeredaktori i atëhershëm i “Bujkut”.

Nën fotografinë kryesore të faqes së parë të gazetës shkruante: “Deklarim demokratik për ardhmërinë e Kosovës: pamje e Prishtinës”. Aty, po në ballinë, në një mbititull shkruante “Udhëzime për mbajtjen e Referendumit”, e në titull theksohej “Referendumi është legal dhe legjitim”.

Para 26 viteve në Referendumin për Kosovën shtet Sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 shtator 1991 kosovarët votuan pro 99,87 për qind, me pjesëmarrje masive 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

Pas mbajtjes së referendumit, gazeta “Bujku” në numrin e 4 tetorit 1991 në ballinë me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për sovranitetin shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, shkruante:

“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punojnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të fletëvotimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatat e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatëve, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoshim atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ kur ishte i okupuar Televizioni i Prishtinës për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica, duke qenë të gjitha faqet e gazetës ngjarje dite, duke hequr rubrikat e faqet e tjera të botimeve të zakonshme.

Gazeta e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”, dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasi me dhunë nga regjimi okupues i Serbisë ishte ndaluar e mbyllur gazeta tradicionale kosovare “Rilindja”.

 

 

 

Të ngjashme