Negociatat pa epilog, LDK-ja në konsulta shtesë

Prishtinë | 27 Jan 2020 | 07:31 | Nga Ekonomia Online

Takimet sekrete mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike nuk kanë prodhuar epilog sa i përket marrëveshjes së koalicionit, megjithëse ka përafrim qëndrimesh.

Derisa zyrtarisht asnjëra prej subjekteve nuk ka folur rreth përpjekjeve të fundit për arritjen e ujdisë, burime të gazetës brenda këtyre zhvillimeve kanë thënë se nyja e zgjidhjes së mospajtimeve do të marrë epilog në fillim të kësaj jave, shkruan sot “Koha Ditore”.

Edhe pse Isa Mustafa (LDK) kishte vënë si ultimatum fundin e kësaj jave kur duhet t’u jepet drejtim negociatave, kjo parti është ende në konsulta të brendshme. Burime të gazetës brenda këtyre zhvillimeve kanë thënë se për shumicën e Grupit parlamentar dhe të Kryesisë së LDK-së, është i pranueshëm propozimi që e ka dhënë më herët nënkryetarja Vjosa Osmani, që posti i kryeparlamentarit të kompensohet me njërën prej ministrive të rëndësishme, përkatësisht MPJ-në.

“Koha Ditore” pati shkruar se ky propozim kishte mbetur të shqyrtohej në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, por për shkak të refuzimit të nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, dhe të një pjese të kryesisë, mbledhja nuk ishte thirrur. Në kuadër të diskutimeve brenda partisë, Vjosa Osmani nuk ka shprehur gatishmëri të vendoset në krye të Kuvendit, në rrethanat aktuale, pasi Glauk Konjufca është zgjedhur edhe me votat e LDK-së. Sipas burimeve, për Osmanin i pranueshëm është posti i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme