Negociatat për presidentin lënë nën hije ato për qeverinë

Prishtinë | 07 Dhj 2019 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

Bisedimet për presidentin e ardhshëm të Kosovës, po lënë nën hije negociatat për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përderisa të dy partitë në negociata thonë se do t’i vazhdojnë përpjekjet për arritjen e marrëveshjes, analistët politikë në anën tjetër, theksojnë se krahas pozitës së presidentit, çështje kyçe për arritjen e marrëveshjes janë edhe dy ministri në të cilat, sipas tyre, po insistojnë t’i kenë nën drejtim të dy partitë në negociata. Fjala është për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Drejtësisë.

Pa marrëveshje rreth këtyre çështjeve, analistët, nuk po shohin mundësi që të arrihet deri te marrëveshja për Qeverinë e re të Kosovës.

Politologu Ramush Tahiri duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë së për një qeveri më të rëndësishme janë programi qeverisës dhe transparenca sesa pozitat udhëheqëse.

“Prezantimi i programeve [gjatë fushatës zgjedhore] tash po del që kjo ka qenë vetëm formë për të fituar vota, ndërsa problemi kryesor ose çështja kryesore madhore qenka ndarje pozitave të pushtetit, tash jo vetëm ato për të cilat janë mbajtur zgjedhjet, por të gjitha, në këtë rast edhe pozita e presidentit”, tha Tahiri.

Ndërkaq, Artan Muhaxhiri, njohës i zhvillimeve politike në vend, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se partitë politike të cilat janë duke negociuar për krijimin e qeverisë së ardhshme po pretendojnë se me ministritë që udhëheqin apo pozitat që marrin të forcojnë edhe vetë partitë politike në të ardhmen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme