Nënkryetari i PDK-së kërkon qeveri teknike

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, thotë se formimi i një qeverie teknike, do të kishte qenë zgjedhja më e mirë për Kosovën.

Kjo pasi, siç tha ai për “Qendrapress”, të shkohet në zgjedhje të parakohshme nuk është e udhës tani kur vendi dhe e tërë bota po përballen me pandeminë e COVID-19.

“Unë besoj se i kemi dy opsione: zgjedhje të parakohshme ose qeveri teknike. Zgjedhjet e parakohshme ndoshta kishin me qenë zgjidhje ma korrekte, por qeveria teknike kalimtare deri në zgjedhje është zgjidhje praktike/pragmatike. Për shkak se jemi në pandemi, nuk kisha thanë të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Totaj.

Qeveria Kurti është në prag të shkarkimit, pas prishjes së raporteve me partnerin e koalicionit, LDK-në.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takime me partitë opozitare për t’u koordinuar rreth mocionit të mosbesimit të qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti.

Ndërkaq, Totaj, i cili është edhe kryetar i Degës së PDK-së në Prizren, thotë se kryeministri Kurti ka dëshmuar se nuk ka qenë i gatshëm të përballet me sfida.

“Në fakt, në esencë ka të bëjë me mosgatishmërinë e kryeministrit për t’i adresuar sfidat jo të lehta që na presin në mënyrën më të mirë të mundshme, e që kanë të bëjnë me përmbylljen e procesit të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme