Nënshkruhet marrëveshja Shqipëri-Zvicër-OSBE për të asistuar Parlamentin

Prishtinë | 19 Qer 2019 | 12:52 | Nga Ekonomia Online

Marrëveshje e nënshkruar midis Shqipërisë, Zvicrës dhe OSBE-së për të asistuar Parlamentin dhe edukimin civil

Qeveria e Shqipërisë nënshkroi sot një marrëveshje për zbatimin e një programi mbështetjeje për Parlamentin dhe për përfshirjen e qytetarëve në vendim-marrje.

Marrëveshja tripalëshe midis Shqipërisë, Zvicrës dhe OSBE-së sipas Ambasadës siguron punë të përbashkët për përmirësimin e funksioneve të Parlamentit.

Marrëveshja u nënshkrua bashkërisht nga Ambasadori zviceran Adrian Maître, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, dhe Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri  Bernd Borchardt, me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë, Genc Gjonçaj

Ambasadori zviceran në Shqipëri, Adrian Maitre, ka thënë se kjo marrëveshje është pjesë e bashkëpunimit zviceran me Shqipërinë

“Kjo marrëveshje është pjesë e strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran me Shqipërinë, përsa i përket ndërtimit të institucioneve demokratike të cilat janë përfaqësuese dhe mirë-funksionuese. Projekti synon të zhvillojë Parlamentin për ta kthyer në një institucion me performancë më të mirë. Projekti ynë është përfshirës për të gjithë aktorët politikë”, tha Maître.

Ndërsa Ministrja e Shqipërisë për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali,tha se është kënaqësi që është arritur kjo marrëveshje.

“Është kënaqësi që arritëm sot nënshkrimin e marrëveshjes për projektin mbi mbështetjen ndaj Kuvendit. Falënderim i veçantë për partnerët tanë në këtë iniciativë, Ambasadën e Zvicrës për kontributin e dhënë dhe OSBE për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pandërprerë  kundrejt Parlamentit Shqiptar”, tha Spiropali.

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt tha se prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka qenë partneri më i afërt i Kuvendit.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka qenë partneri më i afërt i Kuvendit të Shqipërisë dhe i popullit shqiptar përmes sfidave që kanë, dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë teksa ata përballojnë detyrat parësore për një demokraci funksionale”, tha Borchardt.

Sipas marrëveshjes, puna do të ketë si fokus një administratë parlamentare më efiçiente dhe më efektive, përmirësimin e rolit legjislativ, përfaqësues dhe mbikqyrës të Parlamentit, dhe aktivizimin e qytetarëve në lidhje me Parlamentin.

Të ngjashme