Nëntë orë seancë, dështon miratimi i rezolutës për Haradinajn

Prishtinë | 10 Jan 2017 | 20:55 | Nga

Pas më shumë se 10 orë sa ka zgjatur seanca e jashtëzakonshme për arrestimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të miratojnë një rezolutë për këtë çështje.

Me vetëm 47 deputetë të pranishëm në sallë, miratimi i një rezolute nëpërmjet së cilës kërkohej lirimi i menjëhershëm i Haradinajt por edhe ndërprerja e bisedimeve me Serbinë, ka dështuar të miratohet.

AAK-ja propozon rezolutë për lirimin e Haradinajt

Pas debatit të zhvilluar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar miratimin e një rezolute të harmonizuar nga të gjitha grupet kuvendore, përmes së cilës kërkohet lirimi i menjëhershëm i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se rezoluta e propozuar nga ky subjekt politik për miratim në Kuvendin e Kosovës, kërkon lirimin e menjëhershëm të liderit Ramush Haradinaj.

Lekaj ka radhitur pikat e propozuara të rezolutës, për të cilat ka thënë se ende nuk janë harmonizuar me Kuvendin, por se ka vetëm një pikë për të cilën AAK-ja nuk pranon negocim dhe nuk heq dorë, raporton RTK.

“Rezoluta kërkon lirimin pa kushte të Haradinajt të ndodhë sa më shpejtë dhe të kosndierohet si detyrë primare shtetërore, qeveria e Kosovës të kërkojë me ngulm përfshirjen e BE-së dhe të Federica Mogherinit, Të ndërpriten bisedimet me Serbinë, deri në anulimin e të gjitha fletë-arresteve për ish-pjesëtarët e UCK-së. Kjo rezolutë ende nuk është harmonizuar mirëpo ajo që është e rëndësishme, është se rezoluta nuk do tërhiqet dhe pika më kryesore është ndërprerja e bisedimeve me Serbinë, madje këtë pikë nuk e negociojmë dhe nuk e largojmë”, ka thënë Lekaj.

Ndër të tjerash Lekaj e ka cilësuar si absurditet arrestimin e Haradinajt në Francë dhe ka thënë se është i kënaqur me mënyrën se si Kuvendi e ka diskutuar çështjen e arrestimit të tij.

Sipas tij, rezoluta duhet të miratohet, derisa ka kërkuar nga deputetet që si pikë të futet ndërprerja e bisedimeve me Serbinë.

Eshtë më interes që të harmonizohet një rezolutë e përbashkët, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli duke përcjellë mesazhin e qartë të deputetet që të ruhen raportet e mira me shtetin francez.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme