Nëntë vjet shkelje mbi Kushtetutën

Prishtinë | 09 Pri 2017 | 09:28 | Nga

Liderët e shtetit dhe përfaqësuesit e tjerë institucional si në çdo përvjetor, edhe sivjet e kanë vlerësuar lartë Kushtetutën e shtetit, por të gjithë i janë shmangur faktit se përgjatë nëntë vjetëve, ç’prej së është miratuar ky dokument, nuk kanë qenë në gjendje t’i përmbushin dy dispozitat themelore të saj: ta bëjnë shtetin sovran dhe ta shtrijnë autoritetin në të gjithë hapësirën territoriale.

E miratuar më 9 prill të vitit 2008, pa debat parlamentar, Kushtetuta e Kosovës, brenda një kohe të shkurtër është sfiduar shumë herë nga vet lidershipi politik, shkruan AktivPress.

Për shkelje të Kushtetutës, qenë “detyruar” të largohen dy president të shtetit: Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli.

I pari për shkak se kishte mbajtur postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike gjatë kohës kur po e drejtonte edhe shtetin, ndërsa tjetri, për shkak të shkeljeve që u bënë në Kuvend gjatë zgjedhjes së tij president.

Me marrëveshje që binte ndesh me Kushtetutën erdhi në krye të shtetit edhe pasuesja e Pacollit, Atifete Jahjaga.

Treshja “Thaçi-Mustafa-Pacolli” u morën vesh që ajo të qëndrojë në krye të shtetit vetëm për një kohë transitore, afërsisht dy vjet, pavarësisht se Kushtetuta e parasheh që mandati i presidentit është pesëvjeçar.

Kështu edhe ndodhi. Gjykata Kushtetuese i dha asaj të drejtën e mandatit të plotë dhe rrjedhimisht ajo qëndroj pesë vjet në krye të shtetit.

Shkeljet kushtetuese, janë ndier edhe në pushtetet lokale.

Ish-kryetari i komunës së Rahovecit, Qazim Qeska, qe kthyer në punë me urdhër të ish- kryeministrit Hashim Thaçi, 45 ditë pasi kishte dhënë dorëheqje.

Ishte prapë Kushtetuesja, ajo që e cilësoj këtë kthim të kundërligjshëm dhe Rahoveci shkoi në zgjedhje të reja.

Në vendimin për Rahovecin ka marr pjesë edhe ish- gjyqtari amerikan, Robert Carolan, mirëpo ai ka bërë më vonë të njëjtën shkelje duke u kthyer në Gjykatë, pasi kishte dhënë dorëheqje.

Kthimin e tij e mbështeten edhe anëtarët e tjerë të Kushtetueses që drejtohej nga Enver Hasani.

Ai dhe kryetarja aktuale e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama- Hajrizi u përballën nga Avokati i Popullit me akuzën për falsifikim të një nënshkrimi të Carolanit.

Rrjedhimisht ndaj të dyve, Prokuroria i hapi hetimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hasani në fakt bëri shkelje edhe kur ju drejtua Brukselit për vazhdim të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtar, duke e tejkaluar Kuvendin e Kosovës.

Për mosrespektim të Kushtetutës është akuzuar edhe misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë.

Këtë e pati bëri ish- kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kur ky mision pati lëshuar fletarrest ndaj deputetit Fatmir Limaj.

Pavarësisht se Kushtetuta e përcakton Kosovën si Republikë demokratike të bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, jo rrallë Qeveria është akuzuar për ndërhyrje mbi punën e organit më të lart ligjvënës-Kuvendit.

Ajo çka është edhe më qenësore, Kushtetuta e vendit nuk njihet në katër komunat veriore, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë veriore.

Në këto komuna e njohin Kushtetutën e Serbisë si të tyren.

Së fundmi për shkelje të Kushtetutës po akuzohet edhe presidenti Hashim Thaçi, për shkak se mori iniciativë ta bëjë Ushtrinë me ligj, e jo me ndryshime Kushtetuese.(AktivPress)

Të ngjashme