“Nëse ministrja e ndjek penalisht një person që është tallur në Facebook, atëherë le t’i procedojë penalisht të gjithë ata militantë që shajnë, kërcënojnë”

Prishtinë | 06 Sht 2022 | 10:04 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, ka thënë se “nëse ministrja e Drejtësisë ndjek penalisht një person që është tallur në Facebook – sado e papranueshme dhe e pashije tallja e tij – atëherë të gjithë duhet t’i kërkojmë asaj si ministre t’i procedojë penalisht të gjithë ata militantë që shajnë, kërcënojnë, fyejnë e tallin nëpër rrjete sociale”.

Kelmendi ka thënë nuk duhet harruar se numri i atyre që bëjnë “vepra penale” të tilla nëpër rrjete sociale “janë militantët partiakë dhe fetarë, shpesh të ndërsyer nga zyrtarë të lartë partiakë dhe klerikë fetarë”.

“Nuk ka standarde të dyfishta”!

Ky reagim i Kelmendit erdhi pasi Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook ka thënë mbrëmë se sot do të paraqesë në polici një qytetar i cili sipas saj ka tentuar të tallet me fëmijë.

Ky njoftim i ministres erdhi pasiqë afaristi Blakaj postoi një tallje publike me Haxhiun.

Ministrja Haxhiu kishte shkruar se personat e tillë duhet të ndiqen penalisht dhe nesër do ta raportoj në Polici.

“Personat e tillë që tentojnë të tallen me fëmijët e dhunuar, duhet të ndiqen penalisht dhe qysh nesër do ta raportoj në polici!”,ka shkruar Haxhiu në rrjetin social Facebook.

Pas këtij postimi të Haxhiut, afarisiti kishte bërë një status ku shkruante se është tallur me paaftësinë e saj dhe i kërkon të mos e lodh me broqkulla por të jep dorëheqje.

“Jemi tallur me paaftësinë tënde, me marrinat e tua! Jep dorëheqje e mos na lodh me broqkulla”, ka shkruar Blakaj.

Blakaj pasi ka lexuar postimin e ministres se do të procedohet penalisht në Policinë e Kosovës ka bërë një sqarim publik se pse është tallur me ministren.

Ndonëse ministrja shkruan se Blakaj është tallur me rastet e dhunimit, afaristi ka shkruar se ai është tallur vetëm me ministren Haxhiu.

Të ngjashme