Nesër fillon “Samiti për Demokraci” i ShBA-së ku do të marrë pjesë edhe Osmani

Prishtinë | 08 Dhj 2021 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të enjten dhe të premten do të organizojë “Samitin për Demokraci”, në të cilin është ftuar edhe Kosova

Nesër do të fillojë “Samiti për Demokraci”, i cili do të zgjasë deri të premten. Aty do të marrin pjesë më shumë se 100 shtete nga e gjithë bota.

Ftesë për këtë samit ka siguruar edhe Kosova. Këtë e ka bërë të ditur para pak javësh Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani pati publikuar në Facebook ftesën zyrtare nga presidenti amerikan.

“Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet.  Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Ëashington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden”, ka shkruar Osmani.

Kosova fillimisht nuk ishte ftuar në “Samitin për Demokraci”. Liderë opozitarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë reaguar pas mosftesës së Kosovës në Samitin e Demokracisë.

Çka është Samiti për Demokracinë që organizohet nga Presidenti Joe Biden

Administrata Biden – Harris përmes këtij samiti ka për qëllim që të dëshmojë se demokracia mund të funksionojë në shoqëri dhe të përmirësojë jetët e njerëzve, dhe, njëkohësisht, për të ju kundërvënë lëvizjeve autoritare nëpër shtete të ndryshme të botës.

Shtëpia e Bardhë ka publikuar në faqen zyrtare të dhënat për Samitin për Demokracinë, përfshirë sfidat e demokracive dhe hapat e ardhshëm pas samitit.

Aty thuhet se samiti poashtu ka për qëllim që të shfaq kundërshtitë ndaj liderëve autoritarë të cilët po e minojnë demokracinë – duke shënjestruar gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, ndërhyrjen në zgjedhje duke pretenduar se modeli i tyre është autoritar është më i mirë për njerëzit.

Më 9-10 dhjetor 2021, Presidenti Biden do të organizoj të parin nga dy Samitet për Demokracinë, i cili do të bashkojë liderët nga qeveria, shoqëria civile dhe sektori privat për të përcaktuar një axhendë afirmative për rinovimin demokratik dhe për të trajtuar kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen demokracitë sot përmes veprimit kolektiv.

“Për SHBA-në, samiti do të ofrojë një mundësi për të dëgjuar, mësuar dhe angazhuar me një gamë të ndryshme akterësh, mbështetja dhe angazhimi i të cilëve është kritik për rinovimin demokratik global. Ai gjithashtu do të shfaqë një nga pikat e forta unike të demokracisë: aftësinë për të pranuar dobësitë dhe papërsosmëritë e saj dhe për t’u përballur me to hapur dhe transparente, në mënyrë që ne, siç e thotë Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, “të formojmë një bashkim më të përsosur”, thuhet në njoftimin kryesor për samitin të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme