Nesër shpallen rezultatet përfundimtare, certifikimi pas 24 orësh, seanca konstituive brenda muajit

Prishtinë | 24 Nën 2019 | 21:00 | Nga Ekonomia Online

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) sot ka përfunduar rinumërimi i mbi 1 mijë e 400 vendvotimeve. Rezultatet pritet të publikohen të hënën, ndërkaq deri në certifikimin e tyre duhet ndjekur edhe disa procedura, shkruan Gazeta Express

Njohësi i çështjeve politike, Artan Murati, ka treguar për Express se çfarë do të ndodhë pas rinumërimit e deri në hapat e formimit të legjislatura së VII’të.

Murati ka treguar se nëse ndonjëra prej partive do të paraqesë ankesë, ajo do të trajtohet brenda 24 orëve.

Megjithëse ai thotë se pas rinumërimit do të ketë më pak mundësi për ankesa.

“Pas rinumërimit, KQZ shpall rezultatet përfundimtare, të cilat më pas certifikohen dhe kështu përmbyllet procesi i numërimit. Subjektet politike dhe kandidatët mund të sfidojnë edhe njëherë, ndonëse tani pas rinumërimit do të këtë me pak mundësi për ndonjë ankesë eventuale. Pas trajtimit të ankesave potenciale brenda 24 orëve, rezultatet certifikohen, shpallen zyrtarisht dhe kësisoj hapet rruga për thirrjen e seancës konstituive për legjislaturën e shtatë, e cila duhet të thirret 30 ditë pas certifikimit të rezultateve”, ka deklaruar Murati.

Kujtojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor.

Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka dalë e para me rreth 25 për qind të votave pasuar nga LDK’ja e Isa Mustafës, duke lënë pas vetes PDK-në e Kadri Veselit, i cili pas shpalljes së rezultateve doli në një konferencë për media ku edhe e pranoi humbjen. AAK-ja e Haradinajt në koalicion me PSD-në e Shpend Ahmetit u renditën në vendin e katërt në këto zgjedhje

Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt nuk e kishte kaluar pragun zgjedhor, por, nga rinumërimi i cili ka zgjatur 12 ditë dhe ka përfunduar sot, zyrtarë të kësaj partie kanë deklaruar se e kanë kaluar pragun zgjedhor për 30 vota.

Ndërkaq para se KQZ’ja të bëjë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, fillimisht duhet të marrë konfirmimin nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme që nuk ka ndonjë çështje që është në shqyrtim.

Rezultatet pas këtij procesi do të publikohen në web-faqen e KQZ-së.

Të ngjashme