Ngrihet flamuri shtetëror në Ditën e Pavarësisë, liderët shtetërorë: I kujtojmë të rënët për këtë ditë

Prishtinë | 17 Shk 2022 | 08:21 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për nder të Pavarësisë, në oborrin e Qeverisë, është ngritur flamuri i Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Të pranishëm në ngritjen e flamurit ishin presidentja Vjosa Osmani, kryparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj e komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani i uroi qytetarët për 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ajo tha se sakrifica për shtetin tonë ka qenë e madhe, duke thënë se të zhdukurit janë ende plagë e hapur e Kosovës. Ajo tha se liria jonë do të jetë e plotë atë ditë kur do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat e deri kur qytetari i fundit do të kthehet në republikën e Kosovës.

“14-vjetorin e arritjes më kulminante që populli i Kosovës e ka pasur në historinë e saj. Pra shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës. Natyrisht që edhe në këtë ditë sikurse çdo ditë të punës dhe përpjekjeve tona dua ta shfrytëzoj për t’i falënderuar dhe nderuar të gjithë ata që kanë dhënë gjithçka në mënyrë që ta gëzojmë shtetin që e kemi. Duke filluar nga vizionari dhe arkitekti i pavarësinë së Republikës së Kosovës presidenti Rugova i cili diti ta qartësoj vullnetin e popullit të Kosovës para botës dhe të krijojë miqësi të cikat edhe sot i gëzojmë. Dhe duke vazhduar me mbi 3000 dëshmorë të cilët flijuan jetën e tyre në mënyrë që sot të jetojmë të lirë të udhëhequr nga komandant legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari”, tha Osmani.

“Në këtë ditë natyrisht festojmë edhe të arriturat e republikës së Kosovës sepse shteti ynë natyrisht është punë e përfunduar dhe me 17 shkurt 2008 është përcaktuar njëherë e përgjithmonë si shtet i pavarur dhe sovran megjithatë sfidat vazhdojnë, e në këto sfida duhet të qëndrojmë të bashkuar”, tha presidentja Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në këtë ditë të shpalljes së Pavarësisë, nuk ka sesi të mos i kujtojë të rënët për këtë ditë.  

“Teksa kremtojmë e festojmë, nuk kemi sesi të mos i kujtojmë ata të cilët punuan dhe luftuan për pavarësi, andaj nga kryeqyteti i Republikës, do të vazhdojmë për në kryeqendrën e kryengritjen në Prekaz, e më pastaj vizitë te varri i ish-presidentit Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçit. I nderojmë të gjithë ata që punuan dhe luftuan, lanë gjurmë ta pashlyeshme për këtë ditë”, tha Kurti

E kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se kjo ditë po fillon me simbolikë me ngritjen e flamurit, ashtu siç do të qëndrojë shteti i Kosovës.

“Këtë ditë po e fillojmë, është një simbolik që shteti jonë do të qëndrojë lartë dhe përgjithmonë. do ta shënojmë me aktivitetet të ndryshme ashtu siç e meriton”, tha Konjufca.

Të ngjashme