Ngritja e çmimeve të naftës s’ka të ndalur, Mustafa tregon çka mund të bëjë Qeveria

Prishtinë | 08 Qer 2022 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Çmimet e derivateve janë bërë të papërballueshme për kosovarët, sidomos ditët e fundit. Një litër naftë sot po shitet deri në 1 euro e 82 centë. Por, si mund të ulen këto çmime? Ish-kryeministri Isa Mustafa ka dhënë disa propozime për Qeverinë Kurti, që i ka shoqëruar edhe me disa kritika për kryeministrin. Propozim të ngjashëm ka dhënë edhe Pal Lekaj i AAK’së. Reduktimi i akcizës dhe zvogëlimi i TVSH’së ishin propozuar fillimisht nga LDK’ja.

Rruga e vetme për t’u ulur çmimet e derivateve në Kosovë po konsiderohet ulja e akcizës apo heqja e përkohshme e saj.

Një propozim i tillë është dhënë edhe nga njeriu që dikur ishte në vend të kryeministrit Albin Kurti.

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme bashkë me institucionet e pavarura që merren me konkurrencën për të vërtetuar shkaqet e rritjes së çmimeve të derivateve.

Mustafa i ka thënë Gazetës Express se duhet vërtetuar se a po rriten çmimet shkaku i çmimeve të berzës, derisa ka paralajmëruar edhe për mundësinë e marrëveshjeve monopoliste mes naftëtarëve.

Përveç kësaj, Mustafa ka deklaruar se Qeveria duhet ta ulë apo ta heq përkohësisht akcizën në import të derivateve, derisa të ketë stabilizim të tregut dhe çmimeve.

“Qeveria do duhej të merr masa të menjëhershme së bashku me institucionet e pavarura që merren me konkurrencën për të vërtetuar shkaqet e rritjes së çmimeve të derivateve; sa janë ato pasojë e çmimeve të berzës, dhe sa pasojë e marrëveshjeve monopoliste të naftarëve tanë. Krahas kësaj duhet ta rishqyrtojë akcizën në import të derivateve, ta ulë apo ta heq përkohësisht, derisa të stabilizohet tregu dhe çmimet.

Ai ka drejtuar kritika në adresë të Qeverisë Kurti, duke thënë se është e padijshme, e padenjë dhe e papërgjegjshme.

“Qeveria nuk po merret me çmime, me inflacion, me varfërinë, me pagat dhe pensionet. As me rastet korruptive! Kryeministri është i zënë, po ligjëron jashtë vendit për neokolonializmin e OKB-së në Kosovë dhe masat shtesë ndaj Rusisë ( pasi e refuzoi gazin amerikan)!! Kjo qeveri po tregon qartë se nuk ka lidhe me qeverisjen, se është e padijshme, e padenjë dhe e papërgjegjshme. Mbledh tatime e taksa nga qytetarët, lavdërohet se po mbushet arka e shtetit, kurse nuk kujdeset për tatimpaguesit”, ka deklaruar Mustafa.

Lekaj: Të hiqet akciza dhe tatimi mbi produktet bazike për pesë muaj

Edhe deputeti i AAK’së, Pal Lekaj, ka kërkuar sot heqjen e akcizës së naftës dhe tatimin mbi produktet bazike për pesë muaj.

Sipas tij, kjo duhet të bëhet për shkak të inflacionit të lartë në Kosovë.

“Tek përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore, propozojmë heqjen për një periudhë pesë mujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare, përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik, masa emergjente të rishikimit të çmimeve të kuotuara në projektet e investimeve publike”, propozoi Lekaj.

Çka propozonte Abidhxiku në mars për t’i ulur çmimet e derivateve?

Propozimin për reduktim të akcizës dhe zvogëlim të TVSH’së ishte dhënë fillimisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Më 7 mars, kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku kishte propozuar që të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH’ja për tre muajt e ardhshëm.

“Të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH-ja në naftë për tre muajtë e ardhshëm. Ky reduktim i përkohshëm duhet të ketë për qëllim përballueshmërinë jo vetëm të qytetarëve tanë, por sidomos të bujqve e transportuesve në vend, ndikimi i të cilëve në produkte e shërbime të tjera do të jetë edhe më i lartë”, kishte shkruar Abdixhiku.

Ai kishte propozuar edhe racionim të sasisë të naftës që një individ do të mund të blente.

“Qeveria të asistojë furnitorët tanë në sigurimin e rezervave afatgjate. Në kohë si këto, relacionet ndërshtetërore janë esenciale.

Të ofrohet një plan afatgjatë i përballueshmërisë. Qeveria të reagojë sa më parë. Ndonëse do të jetë sërish e fundit në reagim, praktika e vëzhgimit e arsyetimit se kjo është krizë globale është braktisje e re e qytetarëve edhe në një krizë”, ishin propozimet e tjera të Abdixhikut.

Këto propozime i ka ripërsëritur edhe para një jave, përmes një postimi në Facebook.

Berjani i Naftëtarëve: Stabilizim të tregut mund të ketë pas përfundimit të luftës në Ukrainë

Se nafta është shtrenjtuar e kanë konfirmuar dje edhe nga Shoqata e Naftëtarëve.

Një litër naftë dje shitej 1 euro e 75 centë, derisa e benzinës 1 euro e 77 centë.

Këto çmime janë rritur edhe më shumë. Një litër naftë sot po shitet 1 euro e 82 centë.

Edhe vetë Berjani deklaroi se çmimet janë të larta për gjendjen ekonomike në të cilën gjenden qytetarët e vendit.

“Sa i përket rritjes të çmimeve se a do të ketë rritje dhe sa do të mbërrin çmimi s’mundemi me paragjykuar se ka lëvizje të mëdha në berzën ndërkombëtare.

Çmimet janë të larta për gjendjen ekonomike të cilën e kanë qytetarët tanë. Po rritja e derivateve është duke ndodhur në tërë globin e jo vetëm te ne Besoj që qytetarët tanë janë duke e kuptuar se rritjen e çmimeve e dikton berza dhe kjo po ndodh në tërë botën”, ka deklaruar Berjani.

Sipas Berjanit, stabilizim të tregut mund të ketë tek pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

Sa po shitet nafta në shtetet e tjera?

Sipas çmimeve të derivateve të publikuara në faqen Global Petrol, Kosova renditet në mesin e shteteve, ku çmimi i naftës është më i shtrenjtë.

Janë rreth 130 shtete tjera ku nafta shitet më lirë. Bazuar në të dhënat e kësaj faqje, të cilat përditësohen çdo javë, janë disa shtete ku nafta s’kushton as 1 cent.

Në Iran litri kushton 0.011 cent, në Venezuelë, 0.022 dhe në Libi 0.031.

Ndërkohë, tri shtetet ku nafta po shitet më së shtrenjti janë Hong Kongu, Suedia dhe Norvegjia. Çmimi më i lartë është 2 euro e 73 centë.

Përditësimi i fundit i këtyre të dhënave është bërë më 6 qershor 2022.

Të ngjashme