Ngritja e Grenell, Drilon Gashi: Do të vazhdojë tendenca për marrëveshje të shpejtë

Prishtinë | 20 Shk 2020 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik Drilon Gashi, po e vlerëson si të rëndësishme ngritjen në pozitë të Richard Grenell, i cili u emërua nga presidenti Donald Trump si Drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare.

Gashi në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës, analizoi fuqizimin e Grenell me këtë pozitë në raport me Kosovën.

“Jam befasuar që Grenell do të vazhdojë t’i mbajë të tri pozitat – atë të Ambasadorit amerikan në Gjermani, emisarit të Trump për dialogun Kosovë-Serbi dhe tani edhe Drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare”.

“Grenell është ngritur në detyrë dhe tani është edhe më afër Trump-it, është pjese e kabinetit të Trump. Nëse në takimet e tyre është përmend Kosova një here në javë apo një herë në dy javë, tash do të përmendet shumë më shpesh. Mendoj se do të vazhdoje kjo tendenca për një marrëveshje të shpejtë”.

“Ngritja e Grenell është lajm i mirë për Kosovën për ato marrëveshje që do t’i zbatojë shpejt, por lajm i keq për ato marrëveshje që nuk do t’i zbatojë shpejtë”.

Gashi gjithashtu foli edhe për reagimet në SHBA lidhur me emërimin e Grenell.

Ai pohoi se pas publikimit të lajmit u vunë re dyshimet lidhur me profesionalizimin e Grenell, pasi që atij i mungon prapavija e inteligjencës kombëtare për ta ushtruar këtë detyrë.

Gashi gjithashtu theksoi se Trump ka vendosur që emërimi të bëhet për Drejtor në detyrë, pasi që për t’u emëruar Drejtor i Inteligjencës Kombëtare duhet që të marrë shumicën në Senat, gjë për të cilën ai tha se dyshon që do ta arrinte Grenell.

Të ngjashme