Ngritja eventuale e çmimeve të energjisë elektrike i shqetëson qytetarët, kërkojnë reflektim nga Qeveria

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 16:04 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova po përballet me rritje çmimesh në të gjitha produktet bazë, duke filluar nga ato ushqimore deri te transportet, raporton Ekonomia Online.

Por jetesa e qytetarëve, mund të vështirësohet edhe më shumë, shkaku i paralajmërimeve për shtrenjtim të energjisë elektrike në vend.

Për Ekonomia Online ata kanë kërkuar nga Qeveria të kenë një plan konkret për tejkalimin e kësaj krize, teksa thonë se energjinë nuk mund ta paguajnë përderisa janë të papunë.

Alfred Halili për EO tha se duke e parë gjendjen e rëndë ekonomike-sociale të qytetarëve të Republikës së Kosovë, është e papërballueshme.

“Do të duhej të kishte rritje të çmimit por jo kaq shumë. Apeli im drejtuar qeverisë kishte me qenë që njëfarë forme të ndërmarrin masa që t’iu dalin në ndihmë qytetarëve”, tha ai.

 Tutje Halili tha se qeveria duhet të ketë një plan konkret për tejkalimin e kësaj krize.

“Për qytetarët është e papërballueshme, çdo vit sezonin e dimrit e kemi çmimin e energjisë më shtrenjtë tash edhe me këtë vendimet e fundit që po pritet për 40 apo 50 për qind atëherë është e papërballueshme, vendi do të shkojë drejtë një kolapsi”, u shpreh ai.

Blerim Ahmeti për Ekonomia Online tha se populli është i pa punë e është shumë shtrenjtë.

“Çka mi thanë qeverisë, qeveria le ta bënë punën e vetë. Populli janë pa punë, me çështje sociale. Nuk mundemi me përballu, por duhet me ja bo qysh bëhet, nuk kemi çka të bëjmë”, thotë ai.

Gëzim Berisha tha se rekomandimi i qeverisë për shtrenjtimin e energjisë elektrike e konsideron jo të duhur e se qeveria e ka gabim.

“Tani pandemia, shumë e ka dëmtu ekonominë si të shtetit si të qytetarëve. Shtrenjtimi i energjisë është jo i mirëpritur për neve po besoj që qeveria duhet me mendu se qysh me gjete një zgjidhje më të mirë, më të favorshme për qytetarët. Njerëzit qysh munden me pagu kur nuk punojnë”, ka thënë ai.

Ai tutje tha se qytetarët nuk po munden me përballu tani e lëre më ta shtrenjtojnë edhe më shumë, ai këtë e konsideron si katastrofë shumë të madhe.

Kurse Nazlije Arifi ka ironizuar duke thënë se kanë mundësi t’i paguajnë, teksa ironizon edhe me pensionin në vend.

Sa i përket apelit drejtuar ajo tha se qeveria din ta bëjë punën e vetë si është më së miri, ashtu siç kanë premtuar.

“Ta shohim tash në “pensionin shumë të mirë” që e kemi në Kosovë, ta shohim si po i përballojmë gjërat”, thotë ajo.

Zyra e Rregullatorit për Energji ka përgatitur dy raporte konsultative ku njëra nga to ka të bëjë me kthimin e bllok tarifave.

Sipas propozimit të ZRRE-së niveli i konsumit mbi 600 kWh, që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, furnizohet me tarifë prej 0.21 eur/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 eur/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët.

Sipas këtij propozimi, fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritetpër €2.29 në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06€ në muaj.

Të ngjashme