Nikaj i PDK-së tregon se çka thanë Escobar dhe Lajçak në takim

Prishtinë | 01 Shk 2022 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Bernard Nikaj, anëtar i Kryesisë së PDK-së, ka folur për takimin që kjo parti zhvilloi me emisarin amerikan, Gabriel Escobar dhe atë të BE-së, Miroslav Lajçak, në ambasadën amerikane.

Ai tha se ky takim ishte në vazhdën e përpjekjeve që ShBA dhe BE po bëjnë për të rifilluar dialogun dhe për ta shtyrë përpara këtë proces, njofton Klan Kosova.

“Simbolika e vizitës së përbashkët ka qenë njëri nga mesazhet e përcjellë se ShBA-ja dhe BE-ja janë janë plotësisht të koordinuara sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Pra, s’kanë diskrepancë mes tyre. Escobar dhe Lajçak na e bënë të qartë që e shohin dialogun si një proces të rëndësishëm për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe presin angazhimin e spektrit politik, posaçërisht Qeverisë së Kosovës, për të shtyrë përpara këtë proces”.

Nikaj se tha se dy emisarët nuk patën ndonjë kërkesë specifike nga PDK-ja, përveç angazhimit.

“Kemi shkëmbyer qëndrimet që PDK i ka bërë të qarta. Ne e shohim dialogun si një proces të rëndësishëm dhe kyç për arritjen përfundimtare të marrëveshjes me Serbinë, me njohje të dyanshme, pa cenim të sovranitetit”.

Nikaj tha se procesi i dialogut duhet të ketë një afat kohor, “ndoshta jo të caktuar, por që brenda një kohe të sjellë njohjen e përbashkët”.

Ai tha se vizita e tyre e përbashkët nënkupton unitet mes ShBA-së dhe BE-së dhe kërkesë të qartë për angazhimin e duhur të të gjithë akterëve në Kosovë. Po ashtu, Nikaj shtoi se këta aleatë kanë gatishmërinë për të rifilluar këtë proces dhe të jetë më i shpejtë dhe se tanimë varet “nga veprimet apo mosveprimet e Qeverisë së Kosovës”.

“Ne si parti opozitare, çfarëdo marrëveshje që arrihet, e presim të vijë në Kuvend dhe në rast se vjen me njohje të ndërsjellë të ketë një debat parlamentar”.

Nikaj u tregua kritik për qasjen e Qeverisë Kurti ndaj dialogut, duke thënë se duhet shikuar nga e ardhmja.

“Ajo që kemi parë në muajt e kaluar ishte një grumbull i veprimeve sporadike të Qeverisë dhe këtë jo vetëm në dialog. Më tepër është diskutuar për të kaluarën sesa për të ardhmen. Qeveria duhet të diskutojë për çështje që e garantojnë të ardhmen evropiane, jo vetëm të këtyre dy vendeve, por edhe të Ballkanit Perëndimor. Qeveria duhet të diskutojë pikë së pari për njohjen reciproke, sepse vetëm kjo e përmbyll në mënyrë finale mosmarrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, ne s’kemi parë këso diskutime”, njofton KlaKosova.

Derisa për bisedimet e zhvilluara nga qeveritë e kaluara, Nikaj tha se njohja reciproke ka qenë temë bosht në të gjitha takimet.

Të ngjashme