Nis numërimi për mandatarin, Kurti e fton LDK-në për alternativa të reja

Prishtinë | 21 Jan 2020 | 07:49 | Nga Ekonomia Online

Më shumë se tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve ka nisur mbrapsht numërimi për mandatarin e Qeverisë. Fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti, i ka 15 ditë afat për t’ia paraqitur për votim Kuvendit kabinetin qeverisës.

Të hënën, presidenti Hashim Thaçi e ka dekretuar Kurtin, pasi Lëvizja Vetëvendosje ia dërgoi zyrtarisht nominimin. VV-ja e ka bërë këtë ndonëse nuk është arritur marrëveshja e koalicionit me Lidhjen Demokratike. Përpjekjet e fundit do të bëhen gjatë dy javëve të ardhshme, ku zyrtarë të dy partive kanë shfaqur vullnetin për arritjen e marrëveshjes, shkruan sot “Koha Ditore”.

Janë dy dokumente kryesore që e rregullojnë aspektin e formimit të Qeverisë. Është Kushtetuta e Kosovës që e trajton këtë çështje në nenin 95 të saj, si dhe është Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese referuar mandatarit.

“Kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, thotë neni 95.2 i Kushtetutës.

Në rast se dështon partia/koalicioni fitues, është diskrecioni i presidentit të vendosë se kujt i takon e drejta e mandatarit. Sipas vendimit të Kushtetueses, mundet edhe partia e dytë që ka numër më të madh të ulëseve në Kuvend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme