Nis punimet Konferenca e IV-të e Ambasadorëve të Kosovës

Prishtinë | 19 Dhj 2016 | 20:53 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Republika e Kosovës brenda një periudhe të shkurtër kohore ka arritur të artikulojë një politikë të jashtme të qartë, duke identifikuar interesat e shtetit dhe mekanizmat për t’i realizuar qëllimet tona.

Kështu ka thënë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në hapje të punimeve të Konferencës së IV-të të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ).

“Kosova brenda më pak se një dekade të funksionimit si shtet i pavarur ka arritur me sukses të konsolidoj shtetësinë e saj duke operuar në një ambient ndërkombëtar tepër anarkik, që dominohet nga polarizimet ndërshtetërore të cilat manifestohen edhe brenda organizatave ndërkombëtare si kurrë më parë”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Derisa ka përmendur numrin e shteteve që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata multilaterale presidenti ka shtuar se institucionet e vendit tashmë e kanë bërë të qartë se e ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE dhe NATO, dhe siç ka theksuar ai “politika jonë e jashtme angazhohet me tërë fuqinë e saj për realizimin e kësaj aspirate”.

Sipas presidentit, 2016-ta ka qenë vit veçanërisht i suksesshëm në arenën ndërkombëtare sportive. ndërsa ka përmendur si ambasadoren më të mirë xhudisten Majlinda Kelmendi, e cila mes tjerash, sivjet fitoi medalje të artë në Lojërat Olimpike.

Ambasadorëve iu drejtua dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili u shpreh se në programin qeverisës i jepet prioritet themelor politikës së jashtme.  “Tash e dy vjet, kemi përqendruar një pjesë të madhe të energjisë në politikën e jashtme, duke arritur edhe disa suksese shumë të mëdha. Përkundër vështirësive që kemi pasur brenda vendit, e të cilat kanë pasur ndikime negative, pasi që politika e jashtme është reflektim direkt i politikës së brendshme, ne kemi arritur suksese që mund të konsiderohen historike në këtë periudhë, e që kryesisht lidhen me procese integruese euroatlantike”, ka thënë Mustafa.

Hoxhaj: Vëmendje të veçantë  do t’i kushtojmë diplomacisë ekonomike

Hapjen e Konferencës e ka bërë ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj i cili gjatë fjalimit ka theksuar faktin se tashmë Konferenca e Ambasadorëve është shndërruar në tradicionale dhe kjo sipas ministrit Hoxhaj tregon se Kosova ka koordinim dhe kontinuitet sa i përket politikës së jashtme.

Siç ka thënë ministri Hoxhaj pikërisht këto janë tipare për të pasur një politikë të jashtme aktive e cila duhet të gërshetojë interesat shtetërore.

“Përmes një politike të jashtme aktive, ne synojmë të përmbushim interesat tona të brendshme. Vëmendje të veçantë  do t’i kushtojmë diplomacisë ekonomike, investimeve të huaja direkte, krijimit të vendeve të punës dhe bashkëpunimit ekonomik që do të jetë fokusi jonë i ardhshëm”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Ndërsa ka shtuar se njohjet dhe anëtarësimet kanë të bëjnë me zgjerimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës.

Konferenca e katërt e Ambasadorëve të Republikës së Kosovës do të zgjasë prej 19 deri më 23 dhjetor, në të do të diskutohen tema të ndryshme si: siguria e Kosovës dhe marrëdhënia e re me NATO-n; Marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe aplikimi për statusin e kandidatit; Diplomacia Ekonomike dhe tërheqja e investimeve të huaja, Diplomacia multilaterale: përfitimet nga anëtarësimet dhe aplikimet e reja.

4

3

2

1

konfer-3

konfer-1

Të ngjashme