Nis seanca për votimin e qeverisë së re, Haradinaj paraqet orientimet programore

Prishtinë | 09 Sht 2017 | 16:32 | Nga

Seanca e jashtëzakonshme për votimin e qeverisë Haradinaj, e cila ishte paraparë të fillonte në orën 16:00, ka nisur me pothuajse me rreth 45 minuta vonesë.

Në sallë janë prezent 70 deputetë, ndërsa deputetët e Listës Serbe pritet të arrijnë nga Beogradi në orën 18:00.

Kujtojmë që në këtë seancë është prezent edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, si dhe një grup diplomatik nga vendet e Quintit, që po përcjellin nga afër zhvillimet në Kuvend.

Aktualisht, mandatari për formimin e Qeverisë, Ramush Haradinaj, ka nisur të paraqesë orientimet programore të qeverisë që do të drejtojë.

Haradinaj e Veseli hyjnë në sallën e Kuvendit, pritet të nisë seanca

Lideri i PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka arritur në sallën e Kuvendit.

Ai menjëherë është ulur në karrigen për të cilën ka udhëhequr si kryesues edhe në mandatin e kaluar.

Në të njëjtën kohë me Veselin, në sallë ka hyrë edhe Ramush Haradinaj, i cili pritet të votohet për kryeministër i shtetit.

Por seanca nuk ka nisur ende. Madje, Veseli, tashmë e ka lëshuar sallën.

Ndërkohë dhe shumica e deputetëve tashmë janë futur në sallën e Kuvendit. Por, këtu nuk janë ende deputetët e Listës Serbe, të cilët kanë pasur një takim në Beograd, për ta marrë “Bekimin” për hyrjen në Qeverinë Haradinaj.

Ata pritet të mbërrijnë rreth orës 18, sipas disa llogaritjeve.

Sidoqoftë seanca pritet të fillojë me paraqitjen e kabinetit dhe një programi qeveritar, në vija të trasha, nga mandatari Ramush Haradinaj më pas dhe diskutimet e deputetëve.

Të ngjashme