Nisma distancohet nga anëtari që ka fyer mërgatën dhe e ka kërcënuar Kurtin

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Dega e Nismës në Rahovec është distancuar nga postimi në rrjetin social Haxhi Hotit, i cili u bë i njohur nga një kërcënim ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. Nisma distancohet nga fyerjet që Hoti ia ka bërë mërgatës.

“Ne e dënojmë ashpër gjuhen të cilën ai e ka përdorur ndaj mërgatës. Të gjithë jemi në dieni për rolin dhe kontributin te cilin mergata e ka dhënë dhe vazhdon ta japi si para luftes, gjate saj gjithashtu edhe në ditët e sotme”, thuhet në reagimin e Nismës.

Në këtë njoftim po ashtu thuhet se “Kontributit i mërgatës është burim i rëndësishëm i mbijetesës dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë. Remitencat paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të të ardhurave dytësore në Kosovë”.

Nisma e konsideron mërgatën motor të ekonomisë, kulturës dhe zhvillimit.

Nisma është distancuar nga Hoti, që ka qenë kandidat i kësaj partie për deputet në zgjedhjet e fundit.

“Z. Hoti nuk është përfaqësues i Nismes Socialdemokrate Dega Rahovec, dhe çdo gjë që ai postoj është vetëm mendimi personal i tij”, thuhet në njoftim.

Ish-kandidati për deputet ka propozuar që mërgatës t’i ndalohet me ligj vota në Kosovë, duke i quajtur të paditur.

Hoti ka shkruar në Facebook se po ta donin mërgimtarët vendin kaq shumë, do të kishin ardhur për të luftuar.

“Mërgatës me ligj duhet me ja ndalu të drejtën me votu në Kosovë, mërgata e Kosovës janë njerëz shumë të paditur, nuk mundet me i ditë gjërat njeriu prej TV dhe prej internetit. Mos përzihi në Kosovë shumë, se në shtëpit e juaja nuk ju vet kush as maraba nuk ju thonë fëmijet e juaj. Mërgata e Kosovës kur qohen në 4 të mengjesit me punu mendojnë që për Kosovën po qohen me punu, jo për Evropë jeni tuj punu, e jo për Kosovë. Po ta kishit dashur vendin kaq shumë, ishit ardhur në luftë me luftu për Kosovë”, ka shkruar ai.

Të ngjashme