Nisma iu premton artistëve të Ferizajt, do të merreni vetëm me art

Ferizaj | 18 Tet 2017 | 17:00 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, dhe kandidati për kryetar të Ferizaj nga kjo parti, Benik Berisha, shpalosën të mërkurën programin qeverisës para artistëve ferizajas.

Berisha premtoi se do të fokusohet në zhvillimin e kulturës në Ferizaj. Ai tha se do të kujdeset që artistët e Ferizajt të mos bëjnë punë teknike për të mbijetuar, por të merren vetëm me art.

“Zotohem që artisti do të ketë vendin e merituar. Jo që aktori të punojë punë teknike”, u shpreh Berisha, raporton Ekonomia Online.

Kandidati i Nismës, në vazhdim. prezantoi ekipin e tij që do të udhëheqë drejtoritë komunale. “Ky do të jetë ekipi i fitores dhe i transparencës”.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se është koha që njerëzit të bashkohen e të punojnë, sepse koha e tranzicionit emergjent ka kaluar.

“Besoj fort se kultura, ekonomia dhe mirëqenia janë shumë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Pa ekonomi nuk ka zhvillim të kulturës, nuk ka mirëqenie”, theksoi Limaj.

“Për djemtë dhe vajzat e reja, vendi ynë i ka shumë borxh për mbajtjen e gjallë të shpirtit. Njerëzit në Ferizaj janë njerëz me vetiniciativë dhe jo rastësisht, Ferizaj është kthyer në një qendër ekonomike në Kosovë”.

“Ajo çka ne po mundohemi të bëjmë është me i afru njerëzit. Më shumë se kurrë kemi nevojë për ta kthyer optimizmin te qytetarët. Koha e tranzicionit e emergjencës ka kaluar dhe është stërgjatur. Është koha kur çdonjëri duhet ta ndjejë se ky shtet ka filluar të sheh prosperitetin në këtë vend”.

Limaj ftoi qytetarët e Ferizajt, të cilët nuk janë të kënaqur me qeverisjen e kaluar, ta votojnë numrin 31.

Të ngjashme