Nisma kërkon që Kuvendi ta zgjidhë çështjen e orëve të humbura, LDK-ja e quan papërgjegjësi të MAShT-it

Prishtinë | 28 Mar 2019 | 12:09 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i grupit parlamentar të Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, si iniciues i seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, tha se moskompensimi i orëve të humbura, është një qasje e gabuar e cila nuk duhet të ndodhë asnjëherë, raporton Ekonomia Online.

“Nëse ndalemi në atë që ta trajtojmë si është ora e humbur e drejtë sindikale që të mos kompensohet asnjëherë është një qasje e gabuar për shkak që nuk duhet të ndodhë asnjëherë. Le ta trajtojmë seriozisht këtë çështje dhe të kuptojmë që nuk është njëjtë që 15 njësi mësimore të mungojnë në procesin e arsimit dhe në fund nxënësit e klasës parë të kenë vështirësi të mësimit të germave nëse ato njësi mësimore nuk do kondensohen unë nuk do flasë me gjuhën e orëve”, tha Sherifi.

Sherifi ka kërkuar nga Kuvendi që urgjentisht të gjendet një zgjidhje brenda javës që të mbahen edhe orët e humbura.

“Pres që gjatë fillimit të debatit ju kolegë qoftë përmes shefave të grupeve të sjellim në propozim se çka është e mirë të zgjidhet. Kuvendi i Kosovës kërkon nga MAShT që urgjentisht brenda javës së ardhme të gjejë mënyrën që të mbajë orët e humbura”, shtoi Sherifi, raporton EO.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, tha se kjo temë nuk do duhej të ishte në Kuvendin e Kosovës, sipas saj, kjo është dashur të zgjidhet mes MAShT-it dhe SBAShK-ut.

“Nuk do duhej të ishte temë në Kuvend. Do të ishte temë në mes ministrisë dhe SBAShK. Jemi të vetëdijshëm sa janë dëmtuar nxënësit. Ne si LDK konsiderojmë të papërgjegjshëm ministrinë si nuk reagonte me kohë, se greva e SBAShK ka qenë e domosdoshme, se rritja e koeficientit ka qenë e domosdoshme. LDK reagon ndaj fjalorit të MAShT-it për mësimdhënësit. Kur faji hedhet ka mësimdhënësit. LDK është në anën e mësimdhënësve. Është kundër që MASHT të obligojë mësimdhënësit për orët e humbura..”, tha Bunjaku.

Ndërsa në emër të Partisë Socialdemokrate, Driton Çaushi, tha se është shqetësuese që SBAShK-ut, përfaqëson zërin e punëtorëve të arsimit.

“Për mua është shqetësuese që ky është zëri që përfaqëson zërin e punëtorëve të arsimit në Kosovë. Nuk mund të jesh edhe me nxënësit dhe të refuzosh kompensimin. Shpresoj që kjo seancë të kontribuojë që të sjellë dhe të krijojë një hapësirë dhe emergjencë për të trajtuar këtë çështje duke shpresuar që edhe Ministria të jetë e gatshme për një marrëveshje”, tha Çaushi.

Të ngjashme