Nisma mobilizohet të fitojë pa balotazh në Malishevë, thotë se është larg më e mira

Malishevë | 12 Tet 2017 | 23:05 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt ka shpalosur plan-programin e saj qeverisës për katër vitet e ardhshme në komunën e Malishevës.

Drejtuesit e Nismës kanë kërkuar mobilizim që të fitohet pa balotazh më 22 tetor.

Lideri i Nismës, Limaj, ka lavdëruar udhëheqjen e deritanishme nga Ragip Begaj.

“Komuna e Malishevës, në krahasim me komunat e tjera të Kosovës, është shumë përpara… Ne jemi me hapa me kilometra para çdo komune tjetër, si në planin e infrastrukturës si në kanalizim e në fushat e tjera”.

“Në zgjedhjet lokale ka edhe oferta dhe kandidatë dhe krejt është normale që futen në garë për të shpalosur qëndrimet e veta mendimet e veta. Ju i keni parë ofertat e partive të tjera politike. Mirëpo, ajo që jemi për të thënë këtu është se ju si aktivistë keni argumente të shumta pse ne duhet të vazhdojmë me qeverisë këtë komunë”, tha zv.kryeministri Limaj, duke folur para bashkëvendësve të tij.

“Besoj që çdo banor i komunës së Malishevës duhet të ndihet krenar me gjendjen si është sot Malisheva. Natyrisht se kemi shumë nevoja dhe kërkesa, mirëpo krahasuar me komunat e tjera ne jemi shumë përpara. Kjo çka ka ndodhur te ne është mrekulli”.

Kandidati i Nismës për ta drejtuar edhe katër vjet Malishevën, Ragip Begaj, kërkoi nga përkrahësit e Nismës të jenë unikë. “Të gjitha interesat e juaja, sidomos të rinisë, do t’i qojmë përpara. Udhëheqësit tanë në Qeverinë e Kosovës do ta kenë parasysh Malishevën”, deklaroi Begaj.

“Ne nuk kërkojmë më shumë sesa që na takon… Hajdeni të punojmë së bashku, kërkoj një përkrahje të sinqertë ju kërkoj që të jemi së bashku në Pallatin e Sporteve të dielën e zgjedhjeve dhe të festojmë fitoren”m u shpreh ai.

Edhe deputeti i Nismës, Enver Hoti, kërkoi mobilizim në mënyrë që Ragip Begaj të fitojë pa balotazh në zgjedhjet e 22 tetorit.

Ai tha se Nisma nuk i mashtron qytetarët dhe kërkoi përkrahje që të krijohet një perspektivë për Malishevën në të gjitha fushat.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se fryma socialdemokrate që po sjell Nisma i ka munguar qeverisjes qendrore dhe asaj në nivelin lokal.

Bytyqi u zotua se rinia do të ketë vend të veçantë në programin e Nismës. “Këtë nuk e ofrojnë asnjë nga partitë e tjera”, u shpreh ai.

Edhe Arbresha Krasniqi, bartëse e listës për asamblistë komunalë, kërkoi mobilizim më 22 tetor, në mënyrë që të fitohet që në raundin e parë.

Të ngjashme