Nisma në Malishevë shpalos programin qeverisës

Malishevë | 01 Tet 2017 | 16:52 | Nga Donika Osmani

Nisma për Kosovën mbajti tubim elektoral në Malishevë, me ç’rast shpalosi planin e saj qeverisës dhe prezantoi kandidatët për asamble komunale.

Kandidati për ta drejtuar edhe një mandat Komunën e Malishevës, Ragip Begaj, ka theksuar se qeverisja e Nismës ka përfunduar çerdhen e fëmijëve, ka ndërtuar 15 shkolla, gjithashtu ka kontribuar në infrastrukturë, në arsim,  raporton Ekonomia Online.

“I kemi rinovuar dy shkolla që bëjnë 17 shkolla sepse 15 të tilla i kemi ndërtuar. kemi bërë furnizimin për shujta për nxënës, 300 bursa për nxënës, 120 km rruge, 35 km trotuare, kanalizime, ujësjellësi në 12 fshatrat e Malishevës, ndërtimin e 10 stallave, ndërtimin e serave, makina mbjellëse, spërkatëse, mbështetja e bletarëve”, ka thënë Begaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi tha se Begaj ka zbatuar pikë për pikë planin për qeverisje të Malishevës.

“Kjo do të jetë shembull i mirë për të gjitha komunat, si qeveria e komunës dhe bashkëpunëtorët e tij janë në shërbim të qytetarëve. Ndërtimi i atyre shkollave, bursat për nxënësit, ndihmat për familjet që kanë nevojë, janë padyshim dëshmi qe Nisma do të fitojë mandatin pa balotazh”, tha Krasniqi.

Ndërsa kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka theksuar se Nisma për Kosovën ka filluar vetëm në një qytet por tash është zgjeruar duke shkuar deri në Qeveri.

” Zotimi ynë në 2013, po nisemi në Malishevë për të vazhduar më tutje në Prishtinë, dhe tash Nisma për Kosovën është në Prishtinë dhe në Qeveri. Malisheva është e keqtrajtuar, e shantazhuar nga të tjerët, sepse Malisheva nuk mendonte si ata, dhe për këtë ata filluan ta dënojnë dhe ta gjunjëzojnë por ata harruan qe Llapushën nuk mund ta gjunjëzosh”, tha Limaj.

Nisma për Kosovën garon me gjithsej 34 kandidatë për asamble komunale.

Të ngjashme