Nisma përmbyll fushatën, Limaj thotë se po kthehen në zë e shpresë për qytetarët

Prishtinë | 19 Tet 2017 | 18:46 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nisma për Kosovën ka përmbyllur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e së dielës, me një tubim të madh në Sallën e Sporteve në Prishtinë.

Duke iu drejtuar simpatizantëve dhe kandidatëve të Nismës nga të gjitha komunat e Kosovës, lideri Fatmir Limaj tha se ndihet krenar që Nisma dhe njerëzit e saj po kthehen në zë dhe shpresë për të gjithë ata njerëz të cilët kanë qenë të injoruar deri më tani.

“Nuk ka nder me të madh sesa të bëhesh zëri i një pensionisti, e i një familjeje, e cila nuk e ka asnjë të punësuar”, u shpreh Limaj.

Në vazhdim, ai kishte dy porosi, për kandidatët e tyre që garojnë në zgjedhjet e 22 tetorit dhe për zyrtarët shtetërorë.

“Apeli im për kandidatët për asamble është: Mos i harroni ato që keni dëgjuar në biseda me qytetarët; ata ju kanë thënë juve që të jeni zë i tyre në asamble. Ne si udhëheqje e partisë ndihem krenar me paraqitjen që kanë pasur kandidatët tanë në të gjitha debatet. Ju të nderuar kandidatë për kryetarë keni paraqitur programin tonë dhe keni ruajtur respektin dhe dinjitetin e kandidatëve të tjerë politikë dhe keni shpalosur vlerat e partisë që ju i takoni”.

“Kurse porosia ime për nëpunësit shtetërorë është: Mos gaboni ta fyeni shtetin e juaj, mos gaboni t’i fyeni interesat e shtetit tuaj, mbroni interesin e prodhuesit vendës, mbrojeni ekonominë e vendit tuaj ashtu siç e jep ligji, mos u bëni argat të rrënimit të ekonomisë së vendit tuaj. Mos lejoni për interesa të ngushta të shkatërroni vendin tonë, kthehuni e bëhuni siç i ka hije nëpunësit shtetëror, e ai e ka mbi të gjitha respektimin e Kushtetutës zbatimin e ligjeve të Kosovës dhe ndjenja e tij krenar obligim qytetar për ë qenë patriot i vendit të vet duke i shërbyer vendit të vet”, tha Limaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, tha se qëllimi i Nismës është kthimi i dinjitetit qytetarëve të Kosovës.

“Ne të Nismës social-demokrate të Kosovës, shtetin e së drejtës ua kemi borxh fëmijëve tanë. Pa një shoqëri të hapur e civile, pa medie profesionale, pa një shtresë intelektuale e me qasje kritike ndaj politikës, vendi ynë nuk mund të ecën si duhet përpara”, tha Krasniqi.

“Nisma kërkon angazhimin unitar dhe qytetar për të qenë segment i rëndësishëm në ndërtimin e politikës në Kosovë”.

Edhe ai pati një porosi për kandidatët e tyre, të cilët garojnë në këto zgjedhje.

“Nisma nuk mbështet askënd dhe asnjë që nuk zbaton kulturën e komunikimit qofshin ata edhe me kundërshtarët tanë politik. Kundërshtarët politikë, në asnjë formë dhe asnjëherë, nuk duhet t’i trajtojmë si armiq, por si kundërshtarë me të cilët duhet të ecim së bashku në rrugëtimin e formimit dhe të forcimit të shtetit”.

“Për ne, fitorja politike Nismës është instrumenti ynë, e jo qëllimi ynë. Ne nuk duam të luftojmë askënd, por jemi të vendosur të kryejmë misionin që Nisma i ka dhënë vetës në ndërtimin e shtetit të së drejtës, të shtetit me drejtësi sociale, shtetin që stimulon solidaritetin në mes njerëzve dhe është solidar vetë”, theksoi kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës.





Të ngjashme