NISMA: Rrëzimin e Qeverisë do ta përkrahin edhe deputetët e koalicionit

Prishtinë | 09 Pri 2017 | 14:26 | Nga

Të paktën tre deputetë të PDK-së po e përkrahin rrëzimin e Qeverisë. Deputetja e NISMA-s për Kosovën, Shukrije Bytyqi, ka thënë se presin përkrahje edhe nga deputetë tjerë të PDK-së e LDK-së. Sipas saj, kushdo që është kundër bllokadës në institucione duhet të përkrahë rrëzimin e Qeverisë
NISMA për Kosovën po e pret përkrahjen edhe të deputetëve tjerë të PDK’së për të nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

Deputetja e NISMA-s, Shukrije Bytyqi, ka thënë se kushdo që është kundër vazhdimit të bllokimit të institucioneve duhet të përkrahë rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

Ajo ka thënë se përpos deputetëve të pozitës që janë deklaruar pro mocionit të NISMA-s, presin të kenë përkrahje edhe të deputetëve të pakënaqur tjerë të PDK’së e LDK-së.

“Kushdo që është i pakënaqur me bllokimin e institucioneve duhet ta përkrahë rrëzimin e kësaj Qeverie”, ka thënë Bytyqi, për Express.

Ndërkohë, Shukri Buja e Nait Hasani, deputetë të PDK’së, kanë konfirmuar për Gazetën Express, se do të përkrahin çfarëdo nisme që e çon në pension Isa Mustafën dhe e largojnë këtë Qeveri nga udhëheqja e Kosovës.

“E përkrahi çdo nismë për rrëzimin e kësaj Qeverie”, ka thënë Hasani.

“Kjo Qeveri ka dështuar”, ka shtuar ai.

Mendim të njëjtë e ka edhe Shukri Buja, i cili thotë se edhe Konventa e fundit e PDK-së e ka lënë të hapur mundësinë e rrëzimit të Qeverisë.

“Jam pro largimit të kësaj Qeveria dhe do të mbështesë nismën për rrëzimin e saj. Edhe deputetë të tjerë të PDK’së e përkrahin rrëzimin e kësaj Qeverie përfshirë Nait Hasanin e Shaip Muja”, ka thënë Buja, të dielën. Rrëzimin e Qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit e ka nisur NISMA për Kosovën, parti kjo e udhëhequr prej Fatmir Limajt.

Edhe Vetëvendosje dhe AAK e kanë përkrahur NISMA-n për Kosovën që të rrëzojnë Qeverinë e udhëhequr prej Kryerarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Koalicioni PDK-LDK i lidhur para dy viteve ka dështuar të marrë ndonjë vendim lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, kusht ky për liberalizimin e vizave. Veç kësaj, pozita ka dështuar të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka dështuar edhe të themelojë ushtrinë.

Sidoqoftë, Isa Mustafa ka thënë dje në Shtime se mandati i Qeverisë do të shkojë deri në fund. Ka thënë se s’bën të dorëzohet në gjysmë të rrugës pavarësisht nismave për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Idenë për zgjedhje të reja, PDK e kishte nisur në tetor të vitit të kaluar. Atëkohë, Kadri Veseli kishte thënë se me një marrëveshje mes partive politike edhe mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, kishte deklaruar ai.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli kishte numëruar dështimet e Qeverisë dhe të Isa Mustafës.

Dështimi i parë i Qeverisë, sipas Veselit, ishte gabimi që Qeveria bëri me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Dështimi i dytë, sipas tij, është pamundësia e koalicionit për të ratifikuar në Parlament, marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Në këtë situatë, Veseli ka përmendur zgjedhjet si mundësi për kthim në normalitet.(GazetaExpress)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme