Nisma s’dorëzohet, paralajmëron zgjedhje të brendshme

Prishtinë | 24 Mar 2021 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Bilall Sherifi vazhdon t’i mbetet besnik partisë së Fatmir Limajt, Nisma-s Social Demokrate.

Përmes një statusi në Facebook, ai ka paralajmëruar zgjedhje të brendshme të partisë.

“Prandaj le të shfrytëzojmë procesin e brendshëm zgjedhor për të riorganizuar dhe ristrukturar partinë nga nëndegët, degët dhe deri te organet drejtuese qendrore. Përmes procesit zgjedhor duhet t’u mundësohet përfshirja aktive të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që janë të përgatitur dhe të gatshëm ta zhvillojnë dhe ta rrisin NISMËN Scialdemokrate”, ka shkruar ai në Facebook.

May be an image of Bilall Sherifi

Postim i plotë:

Të nderuar anëtarë, simpatizant dhe votues të NISMËS Socialdemokrate.

Krijimi i legjislaturës së re që doli si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe votimi i qeverisë së propozuar nga fituesi i këtyre zgjedhjeve hapi dinamikën e re politike të ballafaqimit pozitë/opozitë. Që nga themelimi i saj si parti politike, për herë të parë NISMA Socialdemokrate mbetet si forcë politike jashtëparlamentare.

Të qenit forcë jashtëparlamentare nuk i zvogëlon obligimet që na dalin ndaj 22 mijë votuesve që kishin mbështetur besimin në opsionin politik të partisë sonë. Mirëpo, që të jemi sa më efikas në obligimet që na dalin nga ky kontekst i ri politik, rishikimi i tërësishëm i punës sonë dhe analiza e të gjithë faktorëve që ndikuan që zëri i NISMËS të mbetet jashtë kuvendit del si domosdoshmëri.

Sa i përket rishikimit të punës sonë, mendoj se nuk duhet të kufizohemi vetëm në zgjedhjet e fundit, por analiza jonë duhet të shtrihet edhe në periudhën paraprake 2017-2019, si dhe disa muaj në vitin 2020, kur NISMA Socialdemokrate ishte pjesë e institucioneve qeverisëse.

Analiza objektive e veprimtarisë sonë të përgjithshme do të na mundësojë të rishikojmë edhe veprimtarinë tonë individuale dhe përgjegjësinë e çdonjërit prej nesh.

Në cilësinë e Sekretarit të përgjithshëm të partisë jam i gatshëm të mbaj përgjegjësinë që më takon, besoj që e njëjta duhet të vlej edhe për të gjithë bartësit e tjerë të funksioneve partiake apo shtetërore të deleguar nga partia, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të dalim më të fortë dhe të hapim shtigje të reja në rrugëtimin tonë politik.

E bëj të qartë që në fillim se angazhimi im në projektin politik NISMA Socialdemokrate as nuk është lidhur dhe as nuk do të lidhet në të ardhmen me pozitat e mia brenda partisë apo institucioneve shtetërore, por me idenë që mishëron ky projekt. Prandaj, pa marrë parasysh përgjegjësitë që do të kem në të ardhmen në kuadër të NISMËS apo pozitën e NISMËS në skenën politike të Kosovës unë do të vazhdoj të jap kontributin tim maksimal, sado modest që të jetë. 

Jam i bindur që hapja e një debati të brendshëm demokratik dhe pa tema TABU do t’i forcojë radhët e partisë me veprimtarë të devotshëm që angazhimin politik nuk e kanë sezonal dhe të ndërlidhur vetëm me karrierën e tyre personale, por që përmes përgjegjësive politike të kontribuojnë në të mirë të qytetarëve dhe të shtetit.

Diskutimet e hapura për të gjitha problemet që na kanë shoqëruar që nga themelimi i partisë dhe sidomos analiza e punës sonë në katër vitet e fundit do të hapë rrugën për reforma të mirëfillta në funksion të forcimit të NISMËS Socialdemokrate. Vetëm në këtë mënyrë do të dalim të përgatitur për sfidat që na presin.

Kam besim të plotë se në mesin e anëtarëve, simpatizantëve dhe 22 mijë votuesve të NSISMËS Socialdemokrate ka njerëz të përgatitur që do të mund të kontribuonin që NISMA Socialdemokrate të jetë e gatshme të ballafaqohet me sfidat e reja!

Prandaj le të shfrytëzojmë procesin e brendshëm zgjedhor për të riorganizuar dhe ristrukturar partinë nga nëndegët, degët dhe deri te organet drejtuese qendrore. Përmes procesit zgjedhor duhet t’u mundësohet përfshirja aktive të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që janë të përgatitur dhe të gatshëm ta zhvillojnë dhe ta rrisin NISMËN Scialdemokrate!

Të ngjashme