Nisma Socialdemokrate në Gjakovë mobilizohet për zgjedhjet e 6 tetorit

Prishtinë | 02 Sht 2019 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Degës së Nismës Socialdemokrate në Gjakovë, Fazli Hoxha, i shoqëruar edhe nga ish-deputeti Haxhi Shala dhe anëtari i kryesisë Enver Shala, kanë takuar strukturat e Nismës në qytet, Gjakovë, strukturat e Nismës në Dushkajë dhe rininë e fshatit Vogovë, ku është diskutuar për përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Në takim me strukturat e partisë në qytet, Gjakovë, kryetari i degës së Nismës në Gjakovë, Fazli Hoxha, ka thënë se Nisma në këtë qytet është mobilizuar fuqishëm për zgjedhjet e 6 tetorit.

Ish-deputeti Haxhi Shala, Fazli Hoxha dhe Enver Shala në këtë takim me strukturat në qytet përcollën mesazhin se fushata zgjedhore duhet të jetë e matur dhe demokratike, duke bërë thirrje për angazhim të të gjitha strukturave në qytet për t’i sjell fitore të madhe koalicionit Nisma-AKR-PD më 6 tetor.

“Nisma është një subjekt politik që po merr përkrahje të madhe nga qytetarët e Gjakovës, duke e parë si një mundësi për zhvillim më të mirë dhe të qëndrueshëm për mirëqenien e tyre”, ka thënë Fazli Hoxha, kryetar i degës së Nismës në Gjakovë.

Ndërkaq në takimin me strukturat e Nismës në Dushkajë, Haxhi Shala, Enver Shala dhe kryetari Hoxha morën konfirmimin se edhe strukturat e Nismës në Dushkajë janë mobilizuar për t’i dhënë një mbështetje të fuqishme fitores së koalicionit Nisma-AKR-PD në këto zgjedhje.

“Nga ky takim së bashku me ish-deputetin Shala pamë se strukturat e Nismës në Dushkajë janë duke bërë punë ekipore për të sjell rezultate pozitive në zgjedhjet e 6 tetorit. Kësaj here entuziazmi për punë i strukturave të Nismës është më i madh për faktin se në këto zgjedhje po hyjmë me kandidatin tonë për kryeministër, liderin Fatmir Limaj”, është shprehur kryetari Hoxha.

Kryetari i degës së Nismës në Gjakovë, Fazli Hoxha, ka takuar edhe rininë e fshatit Vogovë, ku tha se:

“Me të rinj të tillë, me plot energji dhe të kualifikuar fitorja e koalicionit Nisma-AKR-PD është e sigurt. Duke u dhënë më shumë hapësirë të rinjve në vendimmarrje, ne do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për Republikën e Kosovës”.

Ai ka theksuar se Nisma Socialdemokrate që nga themelimi ka dëshmuar se është parti e cila promovon dhe u jep hapësirën më të madhe të rinjve. “Edhe në këtë takim me këta të rinj bëra thirrje që angazhimi i tyre në këto zgjedhje të jetë maksimal që Nisma Socialdemokrate në zgjedhjet e 6 tetorit të ngadhënjejë me fitore”, ka deklaruar Hoxha.

Të ngjashme