Nitaj: Demarkacioni duhet të rrëzohet sot

Prishtinë | 08 Maj 2017 | 10:21 | Nga

Kur pritet për pak minuta të nis edhe mbledhja e Qeverisë së Kosovës, ku edhe do të mësohet zyrtarisht se a do të shkojë në Kuvend marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, opozita shprehet se ky version i Demarkacionit duhet të rrëzohet sot.

Kështu ka thënë për Telegrafin, anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj.

“Versioni aktual i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, duhet të rrëzohet në Kuvend sot. Deputetët nuk duhet të eksperimentojnë me interesa të ngushta politike, sepse askush nuk ka mandat të luaj me kufirin. Territori i Kosovës është më i rëndësishëm se interesat politike të kujtdo qoftë. Ka pasur qindra argumente në dy vjetët e shkuara, se kjo marrëveshje është e gabuar”, tha Nitaj.

Ai theksoi se Parlamenti i Kosovës duhet të veprojë si çdo parlament normal, deputetët e secilit duhet të veprojnë me vetëdije të lartë dhe ta respektojnë betimin e dhënë, se do ta mbrojnë çdo pëllëmbë të territorit të Republikës.

“Mosratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, nuk shënon rast të vetëm. Ka plot vende që nuk i kanë ratifikuar marrëveshjet e kufirit dhe kanë ndjekur procedurat e zakonshme në raste të tilla. Kosova mund ta zgjidhë këtë çështje me një proces të ri me Malin e Zi, duke mos përjashtuar as arbitrazhin ndërkombëtar”, u shpreh Nitaj.

Nitaj tutje theksoi se ratifikimi eventual i kësaj marrëveshjeje, e fut Kosovën në një spirale të krizës afatgjate politike dhe përgjegjësia për një situatë të tillë i bie Qeverisë, Kryeministrit dhe deputetëve të cilët votojnë pro.

“Marifeti i futjes së aneksit për korrigjimin eventual të kësaj marrëveshjeje pas një apo dy vitesh, është një mashtrim ordiner dhe lojë e rrezikshme”, tha Nitaj.

Telegrafi ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje, por të njëjtit janë shprehur se do t’i thonë të gjitha në konferencën që kanë paralajmëruar për sot në orën 12:00.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme