Një delegacion i VV-së po qëndron në Berlin

Prishtinë | 30 Pri 2022 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Me ftesën dhe organizimin e Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), një delegacion i përbërë nga nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Kollçaku, kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Haki Abazi, dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes, Arbër Zaimi, u takuan në Berlin me anëtarë të rëndësishëm të partisë socialdemokratike (SPD) si dhe me zyrtarë të rëndësishëm për marrëdhëniet e Kosovës dhe rajonit me Gjermaninë.

Temat që u diskutuan ishin të gjera, prej aspektit vleror mbi të cilat themelohet e forcohet Bashkimi Evropian, e deri tek strategjitë e zgjerimit përballë rreziqeve gjeopolitike në pjesën lindore të kontinentit. Në takime morën pjesë edhe deputetë e aktivistë me prirje demokratike nga opozita serbe. Nga ana e socialdemokratëve gjermanë u prit me shqetësim armatimi i rëndë i Serbisë, dhe u diskutua për nevojën e mbrojtjes e integrimit të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës, NATO, si dhe hapat drejt BE. U prit mirë qasja proaktive dhe kreative që ka ndjekur Kosova në dialogun për njohje të ndërsjelltë, pavarësisht bllokimit të vazhdueshëm të çdo zgjidhjeje nga pala serbe si për temat e mëdha ashtu edhe për ato të vogla. Temë kryesore e diskutimeve ishte edhe nevoja urgjente për të liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës, teksa deputetët socialdemokratë gjermanë ishin të vetëdijshëm dhe të angazhuar për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi.

Përgjatë datave 27 deri në 29 prill përfaqësuesit e Lëvizjes u takuan (në rend kronologjik) me:

  • Dr. Helene Kortländer, drejtuese e Departamentit për Europën Juglindore në FES
  • Z. Manuel Sarrazin, Përfaqësues Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor
  • Z. Michael Roth, drejtues i Komitetit të Punëve të Jashtme në Bundestag, deputet i SPD
  • Z. Christian Petry, deputet dhe zëdhënës i GP të SPD për Çështje Evropiane.
  • Z. Josip Juratovic, deputet dhe drejtues i Grupit të Diskutimit për Evropën Juglindore brenda GP të SPD. Në këtë takim morën pjesë edhe deputetët e tjerë të SPD, Adis Ahmetovic dhe Jasmina Hostert, si edhe shumë anëtarë të stafit parlamentar, ndër ta edhe studentë shqiptarë në Berlin.
  • Z. Alexander Wallau, drejtues i Njësitit të Kancelarit të Gjermanisë për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore
  • Z. Nils Schmid, deputet dhe zëdhënës për Punët e Jashtme në GP të SPD
  • Z. Metin Hakverdi, deputet, zv.zëdhënës i për Çështje Evropiane në GP të SPD dhe anëtar i Komitetit për Buxhet
  • Znj. Serafine Dinkel dhe z. Milan Nic, bashkëpunëtorë në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme
  • Z. Conny Reuter, koordinatori global i Aleancës Progresive
  • Z. Philipp Fink, Sekretari Ndërkombëtar i SPD

Të ngjashme