Një ditë pas dorëheqjes së Haradinajt, reagon Edi Rama

Prishtinë | 20 Kor 2019 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Një ditë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, kryeministri shqiptar Edi Rama, ka reaguar në Twitter. Pa përmendur emrin e Haradinajt, Rama thotë se këto thirrje në Hagë janë sfida e radhës e betejës së pasluftës në Kosovë.

“Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK,janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë”, shkruan Rama.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj paraqiti të premten dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i tij. Në një vendim të papritur, ai tha se arsyeja për dorëheqjen është “ftesa për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”.

Dhomat e Posaçme, apo siç njihen në Kosovë, Gjykata e Posaçme me seli në Hagë, u themelua me vendim të parlamentit të Kosovës, ndërsa në të punojnë prokurorë e gjykatës ndërkombëtar dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte dhe të pasluftës.

Prokuroria e Posaçme nuk pranoi të jap ndonjë hollësi rreth ftesës për marrjen në pyetje të zotit Haradinaj që pritet të ndodhë nga mesi i javës së ardhshme.

Dorëheqja Haradinaj ndodhi në një periudhë të shtimit të trysnisë ndaj tij për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe me të cilat Beogradi vazhdon të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Kosovën.

Ai u shpreh i bindur se pas dorëheqjes së tij vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa në favor të tyre u shpreh edhe Nisma Socialdemokrate, që është pjesë e koalicionit qeverisës si dhe opozita që hodhi poshtë cdo mundësi të krijimit të ndonjë qeverie të re apo qeverie teknike. Çështja tash i mbetet presidentit Hashim Thaçi, i cili duhet të këshillohet me forcat politike në vend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme