Një muaj pa mësim, Abdixhiku i reagon Kurtit që ka udhëtuar drejt Japonisë

Prishtinë | 27 Sht 2022 | 10:28 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për krizën në arsim të shkaktuar nga greva gati një mujore. Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti i cili dje ka udhëtuar për në Japoni ku do të qëndrojë dy ditë me rastin e ceremonisë mortore të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, derisa arsimi gjendet në një situatë të tillë.

Abdixhiku ka thënë se të udhëtosh drejt Japonisë në një situatë të tillë është paaftësi dhe papërgjegjësi. Sipas kreut të LDK-së, Kurti nuk di të qeverisë.

Reagimi i plotë

Mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim – rrinë në shtëpi – por Kryeministri i Kosovës zgjedhë të largohet për në Japoni.

Paaftësi dhe papërgjegjësi!

Ky njeri nuk di të qeverisë!

Asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë. Asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq pandjeshmëri. Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vet shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë?

Kosova ka nevojë për vëmendje e udhëheqje të matur politike. Kosova ka nevojë për lidership që jep zgjidhje, menaxhon kriza e përgatitë vendin për betejat e madha përpara – në energjetike, inflacion, shëndetësi e ekonomi. Ikja nga këto ballafaqime është veç papërgjegjësi.

Të ngjashme